Një Kluivert për Serie A. Nuk është Patrick, por djali i tij Justin, dhe as Milani, por Roma.
Klubi verdhekuq i kryeqytetit italian ka arritur akordin edhe me Ajaksin e Amsterdamit për të përmbyllur me sukses transferimin e talentit holandez në Itali, për një shumë prej 20 milionë eurosh “cash” dhe 5 mln në formën e bonuseve.
Me lojtarin vet, Roma e kishte arritur më parë marrëveshjen, të cilit i ka ofruar një kontratë 5-vjeçare me 2 milionë euro në sezon.
Megjithatë, drejtori sportiv i Romës duket se nuk do të ndalet me kaq. Monchi ka hedhur sytë edhe nga mesfushori Hakim Ziyech, gjithashtu një lojtar i Ajaksit. Deri më tani, Roma ka afruar 4 lojtarë, Çoriç, Marcano, Cristante dhe së fundi Kluivert.
Djali i të famshmit Patrick Kluivert, i lindur në vitin 1999, konsiderohet si një talent që premton shumë në të ardhmen. Por, një detaj mbetet gjithashtu për t’u theksuar.
Afrimi i Justin nga Ajaksi është bërë përmes ndërmjetësimit të agjentit më të famshëm e më kontrovers të futbollistëve, Mino Raiola, i cili do të përfitojë 4 mln euro vetëm sepse është “pronar” i 20 për qind të kartonit të talentit holandez.
Kluivert pritet të zbresë në kryeqytet gjatë fundjavës për të kryer vizitat mjekësore dhe për të hedhur firmën mbi kontratë.
Top Channel