Floriani mposhti serbin, por një grek triumfoi ndaj shqiptarit nga Kosova

08/06/2018 23:13

Pallati i sportit dhuroi një mbrëmje magjike, ku krahas super duelit mes Florian Markut dhe Slaxhan Dragisic, në oktagon u ngjitën gjithashtu dhe sportistë të talentuar që aspirojnë për të bërë emër në sportin e kick-boksit.

Në pritje të takimit Marku-Dragisiç, ishin plot katër ndeshje mjaft interesante që paraprinë. Përballja e parë që hapi mbrëmjen ishte një ajo mes Andi Xhelili dhe Alberto Hoxha. Një ndeshje shumë e ekuilibruar në peshën 60 kg, ku u deshën tre raunde për të përcaktuar fituesin. Në përfundim Andi Xhelili fitoi falë edhe pikëve të grumbulluara ndaj Alberto Hoxhës 2-1.

Në peshën 73 kg, në oktagon u ngjitën Endri Xhepa përballë Xhuljano Zaranjakut. Peshë me e madhe, grushte më të fuqishëm. Sfida filloi me ritëm, ku të dy boksierët provuan të vinin kundërshtarin në vështirësi. Në raundin e parë Zaranjaku mundi të bënte diçka më mirë, por në raundin pasardhës, Endri Xhepa reagoi mirë duke mbyllur gjithçka që në raundin e dytë, aty ku Zaranjaku e pa vetën në Knock out, pasi disa grushteve të shpejtë njëri pas tjetrit.

Dueli i fundit në kick box ishte në kategorinë për femra në peshën 60 kg, ku përballë njëra-tjetrës ishin Esmeralda Novruzaj dhe Marinela Cani. Sfida ishte shumë e ekuilibruar dhe zgjati deri në raundin e tretë, teksa juria vendosi që Marinela Cani të shpallej fituese.

Më pas duelet u spostuan në kategorinë e MMA dhe ndeshja e parë ishte ajo ndaj luftëtarit kosovar Art Loxha dhe grekut Xhorxh Ianakidhis. Ndeshja u mbyll përpara kohë, teksa Ianakidhis e mbërtheu Art Loxhën nga prapa dhe ky i fundit, në vështirësi u dorëzua.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA