Takimin e radhës me partnerë ndërkombëtarë, Lulzim Basha e zhvilloi këtë të premte me dy deputetët austriakë, Reinhold Lopatka dhe Michael Hammer te Partise Popullore austriake.

Kreu i opozitës, në prag të dhënies së vendimit nga Komisioni Europian për hapjen, ose jo të negociatave me Shqipërinë kërkoi mbështetjen e Austrisë.

“Shqetësimet për gjendjen politike në vend mbeten. Por, jemi angazhuar si opozitë për t’i zgjidhur këto probleme. Kemi nevojë për ndihmën austriake dhe europiane, ndaj kërkojmë hapjen e negociatave, si instrument kontrolli dhe presioni ndaj Qeverisë”, deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha.

Reinhold Lopatka, si kryetar i Komisionit Parlamentar të Çështjeve Europiane në Parlamentin austriak shprehu mbështetjen e vendit të tij për hapjen e negociatave, por nuk la pa përmendur çështjen më të nxehtë politike të javëve të fundit, atë të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

“Më duhet të theksoj që ne jemi të shqetësuar për rastin e ministrit Xhafajt. Rasti i ministrit Xhafaj duhet të trajtohet në mënyrë të besueshme, që të mbështesë rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE”, deklaroi ai.

Lulzim Basha u pyet nga gazetarët për lajmin e dhënë në media për mundësinë e ngritjes së një kampi refugjatesh në Shqipëri dhe për këtë tha se e ka fabrikuar mazhoranca.

“Është një karamele në gojën e hidhëruar të Europës për të marrë një sinjal pozitiv për hapjen e negociatave”, komentoi ai.

Top Channel