Në pritje për të dëgjuar vendimin që e konfirmoi në detyrë gjyqtari i lartë Edmond Islamaj nuk i shmangu dot emocionet dhe tensionin, pavarësisht se rezultati paraprakisht u kuptua në një seancë të mëparshme.
Edhe pas këtij vendimi, gjyqtari i lartë qëndroi i palëvizur për disa çaste, edhe pse podiumi u zbraz nga anëtarët e vetting-ut. Pas 26 viteve karrierë në drejtësi, gjyqtari i lartë provoi ç’do të thotë të ulesh përballë një trupe “quasi” gjykatë, ashtu si 11 të tjerë deri më tani.
Pyetjes së Top Channel se çfarë mendoi teksa pa karrierën e tij t’i dilte para pasqyrës së vetting-ut, ai ju përgjigj: “Përgjegjshmëria shpërblehet”.
Bashkë me prokurorin e Krimeve të Rënda, Dritan Prençi, edhe ai i konfirmuar në detyrë në të njëjtën ditë, Edmond Islamaj është i shtati që kalon provimin e vetting-ut. 5 të tjerë deri më tani janë shkarkuar për shkak të mosjustifikimit të pasurive.
Pasi u largua nga Pallati i Kongreseve, gjyqtari i lartë telefonatën e parë e bëri me familjen. Njëlloj e përdori aparatin e telefonit edhe prokurori Dritan Prençi, për të ndarë një ditë të lumtur me të afërmit.
Pas provimit ndoshta më të vështirë të jetës së tij, prokurori i dosjeve të mëdha Dritan Prençi u largua në këmbë. Në të njëjtën kohë kur pas shpinës së tij, anëtarët e vetting-ut që e gjykuan po ktheheshin në zyra me badigardë e makina të shtrenjta.
Top Channel