Shprehja më e përdorur nga ambientalistët është: Çfarë ne i bëjmë natyrës, ajo na e kthen dyfish. Top Channel ka denoncuar prej ditësh shembuj konkret sesi shkatërrohet mjedisi në vendin tonë. I tillë është rasti i kompanisë Salillari.
Kompania Salillari Sh.P.K ushtron aktivitet të paligjshëm pranë kanioneve të Skraparit, ku pa leje mjedisore grumbullon zhavorrin e lumit Osum.
Administratori i kësaj kompanie Pëllumb Salillari, duke shfrytëzuar një kontrate me qeverinë që parashikon ndërtimin e rrugës Skrapar-Përmet, në fakt merr inerte ne shtratin e lumit Osum. Në këtë situatë, Top Channel ka kontaktuar prej ditësh ministrinë e Mjedisit, e cila më në fund e theu heshtjen
“U konstatua se për segmentin që është dhënë nga Këshilli i basenit Seman, mungonte leja mjedisore. Inspektorati mori masë gjobë 500 mijë lekë dhe pezullim aktiviteti deri në pajisjen me lejen mjedisore”, shprehet Kujtim Bebja, drejtor në inspektoratin e Mjedisit, i cili shton se këtë shkelje e konstatuan në momentin që u bë denoncimi nga Top Channel.
Por, kjo përgjigje nuk përputhet me realitetin që ofron terreni, sepse pavarësisht kësaj mase, aktiviteti i paligjshëm vazhdon. Nga ana tjetër Top Channel ka ndjekur në vijueshmëri edhe aktivitetin e fabrikës së asfaltit në Vorë, sipas lejes mjedisore, në pronësi dhe përgjegjësi juridike të të njëjtit biznesmen, zotit Pëllumb Salillari.
Fillimisht u denoncuan re të zeza tymi, që dallohen edhe me sy të lirë. Edhe për fabrikën, ministria deklaroi se kishte pezulluar lejen mjedisore. Por, disa ditë më vonë Top Channel konstatoi sërish se puna në fabrikë vijonte normalisht dhe se ndëshkimi ligjor në këtë rast nuk ishte pezullimi i lejes, por gjobë dhe pezullim i aktivitetit.
Sipas dokumentit që Top Channel zotëron, gjoba mban datën 1 qershor 2018, 4 ditë pas denoncimit.
“U konstatua se kishte pasur një defekt në sistem. Për këtë arsye jo vetëm për firmën Salillari që prodhon asfalt e beton, por të gjitha subjektet e tjera që kanë avari të tilla duhet të njoftojnë brenda 12 orëve Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, se: Çfarë ka ndodhur me këtë avari dhe sa është dëmtuar mjedisi. Kur inspektorati konstatoi se ata nuk kishin asnjë shkresë, u vendos masa administrative 400 mijë lekë gjobë”, thotë Kujtim Bebja.
Pas këtyre dy episodeve është me vend të thuhet, se autoritetet ekzistojnë vetëm në letër dhe me gjoba modeste. Gjoba, që në terren përkthehen në aq të parëndësishme sa nuk kanë asnjë efekt në aktivitetin e kompanive, që dëmtojnë mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve.
Top Channel