Pesticidi Methomyl me lëndë aktive 90 është i ndaluar të përdoret në Shqipëri por edhe te importohet. Po kimikati për të cilin toksikologët thonë se dëmton rëndë shëndetin deri në vdekje, hyn kontrabandë në Shqipëri, nga Kosova me çanta apo nga porti i Durrësit, si import nga Kina.
Arben shyti ish inspektor pranë AKU tregon se si ka arritur të gjejë rrugën e kontrabandës.
“Këto janë disa insekticide që përdoren në vendin tonë, por që janë të paligjshme. Unë këtu kam listën e PMV-ve të regjistruara këto nuk gjenden në këtë listën e miratuar nga Ministria e Bujqësisë. Këtu mbyllet problem janë të paligjshme. Këto futen në Shqipëri nëpërmjet doganave në mënyrë kontrabandë dhe qarkullojnë gjithë andej dhe përdoren. Se sa është masa e përdorimit ju besoj e keni parë vetë në farmacitë që keni qenë”, tregon ai.
Ish-inspektori i AKU i tregoi Top Channel se kishte zbuluar në janar të 2018 në pikën e kalimit kufitar Durrës kanë mbajtur një Proces-Verbal ku kanë kaluar 3 lloje pesticidesh: Hersan, Delfos, Fortin me origjinë kineze.
Të cilat as këto nuk duhet të lejohen. Inspektori i AKU në doganë ndryshon vendin e origjinës, nga Kinë në Spanjë. Ky ndryshim i bën ato që të kalojnë kufirin sepse ligji shqiptar lejon vetëm pesticide të regjistruara në një vend të Bashkimit Europian.
Pesticidi methomyl 90 lejohet në Kosovë, dhe mostrat që Top Channel gjeti në shumë farmaci bujqësore tregojnë se ato janë në Gjuhën Shqipe.
Arben Shyti ish-inspektori AKU-së thotë që këtë pesticid e ka gjetur në farmacitë bujqësore të vendit tonë dhe ka mbajtur proces verbal për këtë shkelje. Sot ai thotë që është I papunë pasi denoncoi këtë skandal
“Po ta marrim produktin e parë metanata 90 shumë i rrezikshëm, helmues, i papërdorshëm në sera. Në rast se ky përdoret duhet që domatja ose sallatori të rrijë 21 ditë pa u konsumuar. Produkti është silicon mix ky në fakt në terren përdoret si insekticid etiketën e ka pleh. Dhe duhet që përmbajtja e tij të njihet. Produkti tjetër është vapcomorë edhe ky nuk është në listë. Të gjitha këto produkte unë i kam trajtuar gjatë kohës që punoja në AKU dhe për inspektimet që kam bërë për këto më kanë pushuar nga puna. Unë kam bërë 2-3 gjoba për këtë methomylin kam bërë edhe për produkte të tjera edhe për silikonin edhe më pushuan nga puna. Kjo do të thotë që unë jam pushuar nga puna për llogari të kontrabandistëve”, shprehet Arben Shyti, ish-inspektor i AKU.
Top Channel