Shoqatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve protestuan paraditen e së mërkurës përpara Kryesisë së Kuvendit për të kërkuar apelimin e dënimit të përdhunuesit të Pogradecit.
Top Channel ishte dy ditë më parë në shtëpinë e 15-vjeçares, e cila në moshën 14-vjeçare u përdhunua nga fqinji 55-vjeçar. Ai është Ligor Bibe, i cili u dënua dhe do të qëndrojë në burg më pak se 5 vite.
Vendimi është dhënë javën e shkuar. Vajza e mitur ka qënë nën presion pasi i kërkohej që të mohonte përdhunimin. Kërkesa e protestuesve është që ligjvënësit shqiptarë, me procedurë të përshpejtuar, të rëndojnë dënimet për krimet seksuale.
Gjithashtu, kërkojnë edhe nga Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve që t’i ofrohet ndihmë ekonomike vajzës së përdhunuar, e cila mbeti shtatzënë nga përdhunimi.
Nëse institucionet nuk marrin masa, protestuesit do të dalin sërish në protesta të tjera.
Top Channel