Kushte atmosferike të qëndrueshme, parashikimi i motit për këtë të mërkurë Fiks Fare denoncon sonte rastin e një kompanie, që ka fituar një koncesion për HEC në Bulqizë dhe duke tejkaluar lejen e dhënë, kryen punime pa leje, duke lënë disa fshatra pa ujë të pijshëm dhe pa vaditje.
Punimet pa leje të kompanisë “Teodori shpk 2003 dhe përplasjet me banorët e Martaneshit kanë nisur që prej vitit 2013 dhe deri më sot, institucionet shqiptare reagojnë vetëm me korrespondenca pa marrë masa konkrete. Madje, nga konstatimet dhe verifikimet e kryera nga vetë institucionet, kompania ka shkaktuar jo pak, por rreth 100 milionë lekë të reja dëm.
Abuzimet janë denoncuar nga vetë banorët, të cilët disa herë kanë dalë në protesta, pasi qindra hektarë toke rrezikohen të ngelin pa ujë vaditës dhe atë të pijshëm.
Zonat që dëmtohen nga këto punime janë 4 fshatra të njësisë administrative Martanesh, pasi firma “Teodori” ka nisur punimet për devijimin të rrjedhës së Liqenit të Sobeve për tu shfrytëzuar për HEC-in e ndërtuar në njësinë administrative Zerqan.
Pas këtyre protestave, Fiks Fare shkoi në zonën e Martaneshit, nga ku rezultoi që edhe pse firma i ndaloi punimet për shkak të protestave, ajo sërish ka rinisur punimet për devijimin e ujërave. Gazetarët e Fiks Fare konstatuan se edhe gjatë stinës së dimrit, kompania kryen punimet me nënkontraktorë, me qëllim për të shmangur përplasjet me banorët.
Madje, nga punimet e kryera rezulton se kompania ka hapur një tunel për të devijuar ujin nga liqeni i Sopeve për në Drin, duke ndryshuar rrjedhën natyrale që derdhej në lumin Mat. Por, veç ndërhyrjeve në basen, Fiks Fare konstatoi se kompania private ka kryer miliona lekë dëme edhe në pyllin e Krastës, ku më pas do të hapte kanalet për grumbullimin e ujit dhe dërgimin në tunel, për ta kaluar nga Krasta në Zerqan.
Këto punime fshehurazi konfirmohen edhe nga kryetari i fshatit Eljon Kogjeni. Ai thotë se punimet janë pa leje edhe sipas përgjigjeve të institucioneve, pasi “Teodori 2003”, nuk ka as leje nga Bashkia, as leje nga baseni i ujërave të Matit dhe kryen gjithë këto veprime, duke bërë që fshatrat e tyre të mbeten pa ujë.
Për këtë arsye, Fiks Fare pyeti edhe pranë institucioneve përkatëse. Bashkia deklaroi se ka bërë kallëzime penale, ka verifikuar vetë në terren dhe pas shumë kërkesash, Inspektorati Pyjor ka verifikuar në terren dhe ka konstatuar se është bërë një dëm prej 108 milionë lekësh të reja.
Sipas drejtorit të pyjores në Bashkinë e Bulqizës, ata kanë pezulluar disa herë punimet e kompanisë dhe madje kanë bërë denoncim edhe në polici.
Sipas bashkisë, rezulton se Teodori ka vetëm një leje nga ish-komuna Zerqan me anë të së cilës ka marrë lejen e mjedisit në vitin 2009. Por, ky subjekt, sipas shkresave rezulton se ka devijuar nga leja, pasi nuk ka pasur të drejtë të ndërhyjë në njësinë administrative Martanesh, duke cenuar jo vetëm pasuritë ujore, por edhe fondin pyjor, ndërkohë që kryer ndërtime pa leje.
Fiks Fare pyeti edhe pranë Inspektoratit pyjor në Dibër, ku arriti të sigurojë procesverbalin e verifikimeve që janë bërë në terren në muajin dhjetor të vitit 2017. Por ajo që mbetet e çuditshme është fakti se për një dëm prej 100 milionë lekësh të reja, Inspektorati ka propozuar vetëm një gjobë prej 100 mijë lekësh, pra 100-fish më të vogël se dëmi i shkaktuar. Madje, nuk ka propozuar as të paktën pezullim të punimesh deri në sqarimin e situatës.
Ndërsa, Ministria e Mjedisit, tha se ka vendosur gjobën, sipas përcaktimeve të ligjit, duke shpjeguar se duhet që kompania të dëmshpërblejë bashkinë me 100 milionë lekë të reja, pra me vlerën e dëmit të shkaktuar.
Top Channel