Në Sallën e Hartave të Kryeministrisë, Edi Rama mblodhi koordinatorët e platformës online të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm. Kreu i Qeverisë tregoi sa është numri i atyre që kanë shfrytëzuar këtë mekanizëm, për të cilin thotë se vë në lëvizje direkt ministrin përkatës.

“Arriti në 10 mijë raste të adresuara nga qytetarët, kryesisht ankesa të drejtpërdrejta për halle të tyre individuale apo familjare, por edhe adresime për shqetësime të komunitetit”, deklaroi Kryeministri.

Përveç zgjidhjes së problemit, Rama thekson se platforma synon edhe ndëshkimin e kujt në administratën publike nuk ka bërë punë.

“Këtu fle një nga lepujt më të mëdhenj të ferrave të së shkuarës. Janë afro 150 raste punonjësisht të administratës që kanë marrë ndëshkimet e merituara, që nga ndjekja penale deri tek paralajmërimi për largim nga puna”, thotë Rama.

Së bashku me koordinatorët, Kryeministri tregoi edhe raste konkrete, si ai i një qytetari që dëshmoi se pas 13 vitesh pritje sapo kishte marrë lejen e legalizimit.

Qytetari: Nuk ka për t’ju kthyer kohën e humbur, por minimumi do t’ju zvogëlojë stresin e pritjes dhe nuk është pak. Babai im ka alplikuar që në 2005.

Kryeministri Rama: Nis hetimi administrativ për të identifikuar personat që kanë pasur dosjen e babait tuaj, apo dosjet tuaja dhe ata persona rrezikojnë rastet e këtyre vonesave zakonisht është largim nga puna dhe ndjekje penale, se s’ka çfarë të jetë tjetër.

Sipas Ramës, mjaftojnë 3 minuta kohë që përmes platformës së bashkëqeverisjes të vesh në lëvizje shtetin, ndërsa theksoi se ajo mund të aksesoret edhe nga celulari.

Top Channel