Shitet për 7 mln euro piktura e Van Gogh, “Riparueset e rrjetave në duna”

05/06/2018 11:58

Për 7 milionë euro është shitur në një ankand të Francës një peizazh i hershëm i Vincent van Goghut, piktorit të madh që luftoi përgjatë të gjithë jetës së tij me lënien në errësirë dhe mosvlerësimin.

“Riparueset e rrjetave në duna” përcjell përmes formave dhe ngjyrave të tij të magjishme një copëz nga jeta e grave të thjeshta fshatare. Van Gogh e krijoi kur ishte vetëm 29 vjeç, gjatë periudhës që po kalonte duke jetuar në afërsi të Hagës.

Piktura u ble nga një koleksionist amerikan, pas një lufte të madhe, që e shtyu çmimin mbi 3-5 milionë eurot e parashikuara për të. Ky është i pari krijim i mjeshtrit të madh holandez, që shitet në Francë prej më shumë se 20 vitesh.

Siç shpjegon drejtuesi i ankandit, Francis Briest, në këtë kuotim kaq të lartë u arrit sepse sot, zor se gjen më Van Gogh në treg.

Pikturat e atij që u shuajt pa e ditur sesa do ta vlerësonte bota një ditë, sot gjenden përgjithësisht nëpër koleksione private apo muze. Për këtë arsye, blerësit janë të gatshëm të paguajnë shuma marramandëse, vetëm që të kenë në duart e tyre vepra të një cilësie dhe rëndësie të tillë.

Hera e fundit që çekiçi i ankandit ra në Paris për një pikturë të Van Goghut ishte në mesin e viteve 1990, kur “kopshti në Auvers” u shit për 10 milionë dollarë. Majin e ’90-s, portreti i Dr. Gachet mori atë që atëherë ishte çmimi më i lartë për një pikturë, kur u ble në ankand për 82.5 milionë dollarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA