Në Ditën e Mjedisit aktivitetet u përqëndruan në protestën qytetare dhe ndërgjegjësimin e autoriteteve vendore dhe qendrore, si dhe të komunitetit mbi nivelin e lartë të ndotjes nga mostrajtimi i mbetjeve urbane.

Në landfillin e Porto Romanos, banorë dhe të rinj të Partisë Agrare Ambientaliste reaguan ndaj gjendjes së mbetjeve urbane.

“Kështu nuk jetohet”, shprehet një banor i zonës.

Ndërsa Gentjan Gaba, përfaqësues i PAA, u shpreh: “Edhe pse mediat e kanë vendosur në fokus këtë gjendje, nuk po bëhet asgjë. Do të ishte mirë që bashkia të bëjë publike se çfarë do të bëjë me këtë vendgrumbullim”.

Kur autoriteti nuk shkon te problemi, problemi shkon te autoriteti. Përmes posterave dhe fotove, një ekspozitë e çelur në ambientet e Bashkisë Durrës ka sjellë në vëmendje realitetin e mbetjeve urbane, duke përcjellë një mesazh të rëndësishëm për qytetarët dhe Bashkinë.

Prof.Dr. Magdalena Cara tha: “Mos i vini zjarrin mbeturinave në kazanë. Një mesazh dhe për Bashkinë e Durrësit: çdo pasdite digjen mbeturinat dhe nga këto gaze që çlirohen e janë kanerogjene jemi të ekspozuar që të gjithë, fëmijë e të rritur”.

Të rinjtë promovuan dhe përdorimin e aplikacionit Trash Out, që konsiston në raportimin e zonave të nxehta mjedisore në vende të ndryshme të globit me qëllim ndërgjegjësimin e autoriteteve përgjegjëse për pastrimin e tyre.

Top Channel