Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit situata me ndotjen në Shqipëri nuk është shpresëdhënëse. Shqipëria ka një problem me ndotjen, që nis që nga individët e përfundon te autoritetet. Top Channel ishte në lagjet periferike të Tiranës, ku plehrat ende hidhen nga ballkoni.

Sot e kësaj dite ka qytetarë të cilët gjejnë rrugën më të shkurtër për plehrat e tyre: thjesht i flakin nga ballkoni. Shishe birre, qese, bërthama qershish, veshmbathje, gjellë e mbetur, shishe plastike, kuti shampoje… Barishtet e rritura nuk e fshehin pisllëkun pranë një pallati në Tiranë.

Të bën përshtypje fakti se koshat e plehrave të vendosura nga bashkia janë vetëm pak metra më tutje.

“I hedhim jashtë plehrat dhe duam të hyjmë në Evropë. Ne jemi për gropë, jo për Evropë”, thotë një banore.

“Edhe ne jemi përgjegjës për ndotjen. Por, edhe koshat janë larg, pa kapakë… Makina e plehrave vjen shumë rrallë”, shprehet një tjetër.

Pak metra pranë koshave gjen gjithëfarëlloj mbeturinash: rrugica, kolltuqe e deri te barishte të shkulura.

Vera erdhi dhe nuk duhet të habitemi kur buzë detit të gjejmë plehrat që vetë ne i hedhim nga shtëpitë tona.

Top Channel