Nxënësit e shkollave profesionale pa bursa, fondi lëvrohet në fund të vitit shkollor

05/06/2018 20:35

114 nxënësit e shkollës profesionale në Bulqizë nuk kanë marrë paratë e bursës që i takon me ligj.

Nxënësit edhe pse e kanë nisur vitin shkollor në shtator dhe janë në prag të përfundimit të tij, ende nuk kanë marrë asnjë muaj paratë e bursës. Qeveria shqiptare miratoi dhënien e bursave për vitin shkollor 2017-2018 në datën 13.12.2017.

Vendimi numër 753 ka edhe kriteret që përcaktojnë përfitimin e bursave . Në bazë të tij bursa përfitojnë të gjithë nxënësit që ndjekin me kohë të plotë arsimin profesional në drejtime mësimore si bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendbanimeve të naftës e gazit.

Drejtorët e shkollave profesionale janë ata që çojnë pranë bashkive listat e nxënësve që ndjekin me kohë të plotë shkollat profesionale dhe në baze të pikës 5-së të këtij vendimi janë bashkitë që miratojnë nëpërmjet këshillit bashkiak dhënien e bursave . Në Bulqizë nxënësit i janë drejtuar disa herë bashkisë por s’kanë marrë asnjë përgjigje.

“Që prej shtatorit ne nuk kemi arritur të marrim bursat. Kemi ngritur zërin në bashki, por nuk na kanë dhënë asgjë, na thonë do t’jua japim por ende asgjë” shprehet një nxënës i vitit të dytë. Një tjetër thotë se iu kanë thënë se s’ka fonde. “Na kanë thënë s’ka fonde,s’e dimë por ne që prej shtatorit s’kemi marrë para. Bursat janë 6 mijë e 2 qind lekë” përfundon studenti i vitit të tretë .Në një bisedë jashtë kamerave drejtoresha e shkollës profesionale Thëllëza Beca sqaroi se listat janë çuar në bashki që në muajin janar,por sipas saj Ministria e Financave nuk ka lëvruar fondin.

“Ne i kemi çuar listat në bashki edhe në janar edhe në maj, por nuk e dimë çfarë ka ndodhur, thuhet se janë shkrirë ministritë dhe tani është kompetencë e Ministrisë së Financave ku është përfshirë edhe ajo e punës. S’e dimë çfarë po ndodh, po ne listat i kemi dërguar “, u shpreh Beca.

Fiks Fare ju drejtuar Bashkisë së Bulqizës , e cila në bazë të vendimit nr 753 të datës 13.12.2017 duhet te miratojë listën e nxënësve që përfitojnë bursa. Lulëzime Asllani specialiste në Zyrën Arsimore të Bashkisë së Bulqizës sqaron se bashkia është në pritje të fondit nga Ministria e Financave.

“Ne i kemi nisur listat i kemi miratuar në këshill, por ka patur një problem me kalimin e kompetencave dhe tani merret Ministria e Financave me lëvrimin e fondit. Ende nuk është lëvruar fondi. Ne na kërkuan sërish të nisnim listat, i çuam po presim” përfundoi znj. Asllani.

E njëjta situatë ka ndodhur edhe në Durrës. Nxënësit e shkollës profesionale “Hysen Çela” ende nuk kanë marrë paratë e bursës të cilat duhet t’i përfitonin çdo muaj. Disa prej tyre tashmë kanë dhënë edhe provimin e parë të maturës, por paratë e bursave ende nuk janë hedhur në llogaritë e tyre bankare. ” Sapo dola nga provimi i parë i maturës. Bursat ende nuk na i kanë hedhur edhe pse shkolla mbaroi për ne. Nuk na kanë sqaruar fare, nuk kemi informacion se çfarë po ndodh” u shpreh një maturant.

Fiks Fare ju drejtua Bashkisë së Durrësit. Specialistja e Qendrës Arsimore Durrës, Megi Grami, shpjegoi se e gjithë vonesa ka ardhur pasi Ministria e Financave i ka lëvruar fontet në fund të muajit maj . ” Fondet nga ministria u miratuan vonë në fund të muajit maj, konkretisht në datën 25. Ne tani po bëjmë të gjitha procedurat dhe për dy-tre ditë paratë do hidhen në llogaritë bankare të nxënësve” tha znj. Grami.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel