Municionet e paplasura, Xhaçka: Brenda 2019 asnjë zonë e rrezikshme në Shqipëri

05/06/2018 12:39

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka deklaruar se brenda 2019 nuk do të ketë asnjë zonë të rrezikshme në Shqipëri për municionet e paplasura.

Ministrja ishte në hotspotin e Suçit në Burrel ku për më shuëm se 20 vite ka qenë një prej pikave më të rrezikshme.

Efektivët e Kompanisë së Asgjësimit të Municioneve të Komandës Mbështetëse në Forcat e Armatosura, për më shumë se 1 muaj bënë të mundur pastrimin e plotë të zonës.

“Janë rreth 84 mijë metra katrorë që i kthehen komunitetit që tanimë janë të çertifikuara, të pastra dhe të sigurta. Efektivët tanë kanë rreth 1 muaj që punojnë këtu. Ka qenë një zonë goxha e pasigurt dhe paraqiste rrezikshmëri të lartë për shkak të municioneve të paplasura qysh prej vitit 97. Bashkë me hot spotin e Selicës që gjykojmë që ndoshta pas 5 muajve do ta mbarojmë edhe atë, i kemi kthyer komunitetit gjatë gjithë kësaj periudhe 17 hot spote, mijëra metra katrorë të pastruar dhe të sigurt për përdorim civil. Dhe për vitin 2019, ambicia jonë është që të përfundojmë edhe 2 hot spotet e fundit për t’i kthyer edhe ato komunitetit, duke i certifikuar të pastra dhe të sigurta”, u shpreh Ministrja.

Zyra e Koordinimit të Minave dhe Municioneve (AMMCO), si një strukturë e specializuar e Ministrisë së Mbrojtjes, një ekip profesionistësh, i ndërtuar gjatë dekadës së fundit me mbështetjen e PNUD-it dhe donatorëve të ndryshëm, koordinon dhe monitoron operacionet e pastrimit të municioneve të paplasura në hotspote dhe njëherësh bën certifikimin e zonave pas pastrimit të plotë të tyre.

Top Channel