Konkursi i bukurisë “Miss America” eliminoi segmentin me rroba banjoje dhe nuk do të gjykojë me konkurrentet për paraqitjen fizike.

Edhe segmenti i spektaklit me veshje mbrëmje është eliminuar dhe pjesëmarrëseve do t’i kërkohet që të veshin diçka që i bën të ndihen mirë dhe që shpreh stilin e tyre personal. Gretchen Carson, fituese e dikurshme e konkursit, ishte e para që dha lajmin për programin Good Morning America të televizionit ABC.

Carson tha se tashmë që vajzat nuk do të gjykohen më për paraqitjen e jashtme, spektakli nuk do të jetë më një konkurs bukurie dhe ky është një ndryshim i madh. Në vend të pjesës së programit ku vajzat shfaqeshin me rroba banjoje, do të ketë intervista me to për të kuptuar pasionet e tyre, inteligjencën dhe rolin e “Miss America”.

Organizatorët thanë se kishin marrë shumë informacione nga mijëra vajza të reja që kishin dëshirë të ishin pjesë e spektaklit, por kurrsesi nuk donin të dilnin në skenë me taka të larta dhe rroba banjoje. Kjo nuk do të jetë më problem dhe konkursi do të vlerësojë shpirtin e vajzave e jo më bukurinë.

Mediat amerikane shkruajnë se ndryshimet janë pasoja të skandalit të vjetshëm kur u zbuluan mesazhe të krerëve të “Miss America” që ofendonin dhe poshtëronin konkurrentet.

Të gjithë drejtuesit e vjetër dhanë dorëheqjen dhe ndryshimet themelore të spektaklit duket se janë prurja e gjakut të ri. “Miss America 2019” do të transmetohet në televizionin ABC në shtator dhe atëherë do të shihet edhe vlerësimi i publikut për formatin e ri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA