Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se brenda këtij sesioni do të ngrihet dhe nënkomisioni parlamentar për KLSH-në, i cil do të realizojë auditimin e llogarive financiare të këtij institucioni. “Zgjidhim dilemën kush e ruan rojën”, tha Ruçi në aktivitetin e KLSH.

“Para dy vjetësh Kuvendi rekomandoi ngritje e nënkomisionit parlamentar për KLSH si një praktikë në shumë vende europiane. Personalisht do të marr masat shumë shpejt për ngritjen brenda këtij sesioni të këtij nënkomisioni. Gjithashtu Kuvendi në përmbushje të detyrimeve ligjore do të realizojë auditimin e llogarive financiare të KLSH dhe do t’i bëjë publike. Në këtë mënyrë zgjidhim dilemën kush e ruan rojen, dhe do të garantojmë Kushtetutën, ligjin dhe qytetarët që KLSH është i vetmi institucion i kontrolluar prej tyre”, tha Ruçi.

Ai kërkoi nga KLSH të jetë më aktiv dhe të japë rekomandimet për përmirësimin e legjislacionit. “Mirëpres që KLSH të jetë më aktiv, më cilësor e vizionar, në dhënien e rekomandimeve për përmirësimin e legjislacionit në përgjithësi dhe atë të investimve dhe prokurimeve publike në veçanti. Gjetjet e auditimeve të kalojnë përmes procesi të gjerë të shqyrtimit, sensibilizimi dhe llogaridhënieje. Propozimet për penalizim ndaj shkelësve të ligjit nuk do ta kenë të lehtë të fshihen apo zvarriten pas justifikimeve të burokratëve përgjegjës. Duke u bërë më të ashpër e rigoroz në zbatimin e ligjit, sigurisht që ndihmojmë qeverinë, institucionet e agjencitë dhe do të shmangim e luftojmë praktikat korruptive”, vijoi Ruçi.

Top Channel