Në fshatin Shijon të komunës Bradashesh është festuar dita e Shën Johan Vladimirit ku disa shekuj më parë besohet si nisi predikimin e fesë ortodokse në këto zona. Ndaj dhe çdo vit në 4 qershor, besimtarët ortodokse nga Shqipëria por edhe nga Maqedonia e Mali i Zi mblidhen për të kremtuar këtë festë në Manastirin që mban emrin e shenjtit Johan Vladimir.
“Kjo nuk është hera e parë që vij këtu, është hera e tretë ose e katërt. Herën e parë nuk e përjetova mirë sepse kisha ishte e shkatërruar, nuk kishte çati, dhe unë mendova që këtu kishte ndodhur diçka e keqe, por më pas pashë që kisha po rikonstruktohej. Ne si maqedonas e përjetojmë shumë këtë shenjt sepse ai ishte dhëndër në Maqedoni. Është hera e parë që vijmë kaq shumë besimtarë nga Maqedonia, jemi 80 veta dhe shpresojmë që vitet e tjera të vijmë sërish”, thotë një shtetas maqedonas.
“Është hera e parë këtu dhe jam shumë i gëzuar që Shën Joan Vladimiri na ftoi të vinin në manastirin e tij. Ne jemi nga Mali i Zi dhe kulti i Shën Joan Vladimirit në vendin tonë është shumë i nderuar. Ky vend në Shqipëri është i shenjtë dhe ne shpresojmë të rikthehemi këtu”, thotë një shtetas malazez.
Kulti i Shën Johan Vladimirit në Shqipëri respektohet njësoj si nga shqiptarët ashtu edhe sllavët që vijnë pothuajse çdo vit në kishën që mban emrin e këtij shenjti. Vendlindja e tij është Kraja e Malit të Zi, ndërsa eshtrat janë zhvendosur në Durrës gjatë Mesjetës e më pas në Elbasan. Pas djegies së manastirit eshtrat u vendosën në Muzeun Kombëtar në Tiranë, ndërsa manastiri në fshatin Shijon, që mban emrin e shenjtit, është rindërtuar vite më pas.
Top Channel