Kreu i Agjencisë Europiane për Ruajtjen e Kufijve (Frontex), ka deklaruar se jo vetëm që ekziston një korridor i ri ballkanik, të cilin ndjekin refugjatët që vijnë nga Turqia dhe pjesë e të cilit është edhe Shqipëria, por edhe se numri i këtyre refugjatëve është rritur ndjeshëm muajt e fundit.

Greqia po përballon sfida të mëdha, ka thënë Fabrice Leggeri, sepse ka një fluks në rritje dhe presioni është akoma më i madh, ndaj edhe Frontex po përpiqet të mbështesë Greqinë përgjatë brigjeve të Egjeut verior, me asistencë teknike, por edhe me mjete në kufirin tokësor me Turqinë në Evro.

Gjithashtu, ka thënë ai, mund të marrim me qira ose të blejmë edhe anije ose avionë në mënyrë që të mbështesim gjithë vendet e këtij brezi përballë kësaj sfide.

Përsa i përket korridorit të ri bregdetar, që kalon nga Greqia e Veriut, në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnjë- Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi, Leggeri ka shtuar në një intervistë të tij të orëve të fundit se Frontex ka dërguar 45 nëpunës në kufijtë me Shqipërinë.

Muajt e fundit madje, disa shtete të Ballkanit Perëndimor, si Kroacia dhe Sllovenia, kanë protestuar duke parë numrin e madh të refugjatëve dhe emigrantëve të paligjshëm që kanë hyrë nëpërmjet këtij korridori.

Kreu i Frontex ka theksuar se BE duhet edhe njëherë të rrisë mbështejen ndaj Greqisë si vend kufitar me një prej zonave më të nxehta, siç është ajo e Lindjes së Mesme.

Në këtë kontekst, Komisioni Europian ka deklaruar se deri në vitin 2027 Frontex do të ketë një forcë shtesë prej 10.000 nëpunësish ( roje kufiri) në rajon.

Top Channel