Veliaj, në Kombinat: PD, tradhti kombëtare përpara hapjes së negociatave

02/06/2018 14:08

Kryebashkiaku Veliaj, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, dhe kryetarja e PS-së për Tiranën, Blerina Gjylameti, janë ndalur në Kombinat në vijim të turit të dëgjesave publike në njësitë administrative të kryeqytetit, duke prezantuar disa nga ndërhyrjet që janë parashikuar në këtë zonë, në rrugë, çerdhe e shkolla.

“Më vjen mirë që disa gjëra i kemi prekur që në fillim, si rregullimi i çerdheve dhe kopshteve. Kemi ndërtuar shkollën e re ‘Betim Muço’ dhe kemi në plan të ndërtojmë edhe një tjetër te zona e ‘Astirit’. Gjithashtu, ju falënderoj për mirëkuptimin, sepse po punojmë te blloku i ‘Misto Mames’, e po ashtu edhe zona te ‘Musine Kokalari’ po bëjmë bllokun tjetër, të cilat do t’i përfundojmë brenda verës”, deklaroi kryetari Veliaj.

Ai u ndal edhe te çështja e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, të cilat do ta afrojnë vendin tonë më pranë familjes europiane. Veliaj kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve për arritjen e këtij qëllimi madhor dhe theksoi se “t’i thuash popullit që unë nuk e dua Europën meqë qeveris Edi Rama dhe Partia Socialiste, është tradhti kombëtare”.

“Ata janë duke bërë një tradhti kombëtare, duke sharë vendin kudo jashtë. Ju e dini fare mirë se ka forca ekstremiste edhe në Holandë, në Francë, kurse Anglinë sapo e nxorën nga Bashkimi Europian. Shumë prej këtyre deputetëve të huaj kërkojnë një sebep, t’u vijë një shqiptar i opozitës e t’u japë një arsye që ata të votojnë kundër nesh. Kjo është tradhti kombëtare”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku shprehu bindjen se drejtimin europian dhe shpejtësinë që duan shqiptarët e ofron vetëm Edi Rama dhe Partia Socialiste e Shqipërisë.

“Një gjë nuk ka dyshim. Vetëm Partia Socialiste e çon Shqipërinë në Europë. Nuk ka diskutim për këtë. A mundet që të ecim më shpejt? Patjetër, mund të kalojmë nga marshi i katërt në të pestin. A ka mundësi t’i bëjmë gjërat me më shumë cilësi? Patjetër, prandaj jemi këtu sot, të marrim vërejtje konkrete. Drejtimin europian dhe shpejtësinë që duan shqiptarët, cilësinë e qeverisjes, e ofron vetëm Edi Rama dhe Partia Socialiste”, nënvizoi Veliaj.

Ndërkohë, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri deklaroi se Kombinati do të njohë një sërë investimesh të rëndësishme, si përfundimi i pjesës së mbetur të Unazës së Tiranës për të dalë në sheshin “Shqiponja”, si dhe ndërtimi i rrugës Kashar-Rrogozhinë.

Kryetarja e PS-së për Tiranën, Blerina Gjylameti vlerësoi reformën e ndërmarrë për t’iu rikthyer besimin shqiptarëve te drejtësia. Gjylameti shprehu bindjen e plotë se kjo reformë do të mund të çlirohet nga marrja peng nga ata që çdo gjë e kanë bërë nisur nga interesat personale, dhe jo për të dhënë drejtësi.

Top Channel