Për llogaridhënien e kësaj fundjave qeveria u ndal në Qarkun e Elbasanit.

Fillimisht, në Panairin e Punës, ku shifrat flasin për ulje të papunësisë, ndërsa zyrat e punës kanë punësuar deri tani 400 persona dhe 500 të tjerë janë dërguar për formim profesional.

“1567 vende të lira pune janë vetëm këtu, sot që flasim”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Por, në Cërrik, një prej problemeve krysore që u ngrit ishte pikërisht papunësia. Një burri që kërkonte punë, Rama iu përgjigj: “Nëse do punë në privat, ta gjej; nëse do në shtet, nuk ta gjej dot”.

Të tjerët u ankuan për ujin e pijshëm, sistemin vaditës dhe energjinë e dobët elektrike. Rama u tha: “Fëmijët nuk bëhen të gjithë përnjëherë. Me radhë. Nuk bëhen punët sa hap e mbyll sytë”.

Nuk duroi kur ia kritikuan cilësinë e kontrollit mjekësor falas dhe aksesin e vështirë në shëndetësi: “Check-up-i nuk është sa për të kaluar radhën. Spitali i Elbasanit po transformohet në vazhdimësi, ndërkohë që në Cërrik kemi planin për qendrën shëndetësore”, tha kreu i qeverisë.

Kryeministri theksoi se ka dalë për të dhënë llogari dhe jo për të kërkuar vota: “Ne nuk jemi këtu se do na jepni votën fund të qershorit”.

Por demokratët nuk e lanë të qetë kryeministrin nga Elbasani në Cerrik. Ata protestuan duke shënuar dhe përplasje me policinë.

Ndërsa Edmond Spaho tha se shqiptarët dhe Europa po ia numërojnë orët mbrapsht kryeministrit Edi Rama dhe se kapitulli i krimit e korrupsionit të Ramës po shkon drejt fundit.

Top Channel