Ministri i brendshëm, nga e djathta ekstreme, këmbëngul se do ta mbajë premtimin elektoral për të dëbuar rreth 500,000 emigrantë nga Italia.
Ministri i Brendshëm italian, Mateo Salvini, nga e djathta ekstreme italiane, ka deklaruar se një nga përparësitë kryesore të partisë së re populiste do të jetë “dërgimi në shtëpi” i emigrantëve, duke sinjalizuar se do të mbaj një premtim elektoral për të dëbuar qindra mijëra emigrantë të paligjshëm.
Kaosi politik që ka mbështjellë Italinë javët e fundit, e vjen nga dyshimet e krijuara për qeverinë e re, e cila u zyrtarizua të Premten dhe që po drejtohet nga një kryeministër krejtësisht i panjohur, Giuseppe Conte. Pyetja kryesore është nëse kjo qeveri do të ndjekë një politikë të ashpër për sa i përket detyrimeve fiskale në Bruksel.
Por ngritja në fuqi e Salvinit, nga ish-drejtues i një emisioni radiofonik, tashmë në postin më të rëndësishëm qeveritar brenda Italisë, që ka nën kontroll sigurinë e vendit, të drejtat e njeriut, emigrimin, azilin dhe zgjedhjet, mund të sjellë një ndryshim dramatik.
Disa orë pasi presidenti italian, Sergio Mattarella, dekretoi qeverinë e re, Salvini tha se Italia do të mbante një qëndrim më të ashpër.
“Italia do të hapë dyert për njerëzit e mirë, dhe do të kthejë ata që kanë ardhur në Itali për të bërë trazira. Një nga përparësitë kryesore do të jetë kthimi i tyre në shtëpi”, tha ai.
Salvini, i cili drejton Lega Nord, të djathtën ekstreme nacionaliste, e cila ka qenë në favor të ndarjes së Italisë, ka premtuar të dëbojë rreth 500,000 emigrantë që jetojnë në Itali në mënyrë të paligjshme.
Ndonëse kjo retorikë ka ngjallur shqetësime mes ekspertëve të emigrimit dhe grupeve humanitare, deri tani është parë si axhendë aspak realiste, sepse Italia nuk i ka pasur burimet e mjaftueshme apo edhe fleksibilitetin ligjor për të realizuar dëbime në masë.
Ekspertët e emigrimit, të kontaktuar nga Guardian, janë gjithsesi të alarmuar nga emërimi i Salvinit. Ata druajnë se të drejtat e azilkërkuesve, emigrantëve dhe refugjatëve, do të humbasin në mënyrë dramatike në një vend ku po hasin që tani vështirësi për t’u akomoduar e për t’u integruar me komunitetet vendase.
Calogero Santoro është drejtuesi i Girasoli, një organizatë jo-fitimprurëse që reklamon integrimin e emigrantëve dhe refugjatëve në komunitetet lokale të Sicilisë. Ai thotë: “Gjatë fushatës së fundit zgjedhore janë përhapur lajme të rreme për emigrantët në të gjithë Italinë. Shqetësimi im është për të ardhmen e azil-kërkuesve, njerëzve që e meritojnë statusin e refugjatit. Ç’do të ndodhë me ata nën drejtimin e Salvinit?”
Santoro shtoi: “Kjo është ajo që më tremb. Marrëveshja e qeverisë së mëparshme me Tripolin po e bën jetën e këtyre njerëzve gjithnjë e më të vështirë në Libi. Tani Salvini mund t’ua bëjë jetën të pamundur edhe në Itali.”
Santoro i referohet një marrëveshjeje midis Italisë dhe Libisë, nëpërmjet të cilës Italianët trajnojnë rojat bregdetare të Libisë, të cilët kanë ndaluar varka me emigrantë dhe kanë kthyer në kampet e Libisë njerëz që po përpiqeshin të udhëtonin në Europë. Marrëveshja është dënuar nga mbështetësit e të drejtave të njeriut. Ka pasur shumë raport që kanë përshkruar kushtet çnjerëzore, përdhunimet dhe abuzime të tjera fizike që ndodhin atje.
Ekspertët e emigrimit janë gjithashtu të shqetësuar për faktin që Salvini mund të ulë fondet për qendrat e pritjes, të cilat janë kritikuar që tani nga grupet për të drejtat e njeriut për sa i përket kushteve. Kjo do ta bënte jetën e emigrantëve në Itali edhe më të vështirë.
“Frika ime është se mos qendrat e pritjes së emigrantëve në Itali kthehen në ‘xhungla’ të ngjashme me të Kalesë, në Francë, që u bëjnë emigrantët të padukshëm për publikun”, tha Fulvio Vassallo, ekspert për ligjet e azilit, nga Universiteti i Palermos.
Salcini ka sugjeruar gjithashtu t’i kthejë qendrat e recepsionit në qendra ndalimi, dhe të ndryshojë destinacionin e shumë fondeve për të kryer dëbime në masë. Me rregullat e tanishme, çdo emigrant që dëbohet me avion duhet të shoqërohet nga dy agjentë italianë, gjë që kushton rreth 3000 Euro. Një studim i fundit nga L’Espresso thotë se plani i Salvinit për të dëbuar 500,000 emigrantë do të kushtonte 1.5 miliardë euro.
Pierre Vimont, një diplomat francez që punon me grupin e ekspertëve “Carnegie Europe”, tha se qeveria Italiane mund të shkelë ligjet ndërkombëtare të refugjatëve dhe ligjet e BE-së, nëse vazhdon me premtimin për të dëbuar me qindra mijëra emigrantë, duke rrezikuar të shkelë edhe konventën e Gjenevës.
“Nëse qeveria e re italiane thotë ‘nuk dua t’ia di, nuk pranoj refugjatë’, ata mund të shkelin konventën ndërkombëtare”, tha ai, duke iu referuar parimit të “non refoulement”, që nuk i lejon shtetet të dërgojnë refugjatë në zona ku mund të jenë të rrezikuar.
Vimont, i cili ka drejtuar negociatat midis Afrikës dhe BE-së, për krijimin e fondeve që do të ulnin numrin e emigrantëve, tha se i duket qesharake që kjo qeveri mendon se i ka përgjigjet për probleme që i kanë shpëtuar qeverive të tjera europiane për 20 vite.
“Problemi me qëndrimin populist është se i kanë bindur zgjedhësit e tyre se këto gjëra mund të zgjidhen sa hap e mbyll sytë. Kjo s’ka ndodhur kurrë, sidomos me emigrimin”, shtoi Vimont.
Sandro Gozi, ish Ministri Italian për Europën, tha se BE i kishte dhënë municion partive populiste kundër emigrimit duke mos e ndihmuar Italinë që t’i bëjë ballë numrit të madh të emigrantëve. “Europa mundej dhe duhej të kishte bërë më shumë”, thotë Gozi për the Guardian në një intervistë të kryer kohët e fundit. “Axhenda e populsitëve është ndihmuar nga fakti që italianët janë ndier të braktisur”.
BE ka shpenzuar më shumë se dy vite për të përmirësuar ligjet e kërkesave për azil, të quajtur ndryshe si “Rregullorja e Dublinit”. Ka ndasi të mëdha për zhvend0osjen e refugjatëve nga një shtet i BE-së te një tjetër. Shtetet e Europës Qendrore dhe Europës Lindore, të drejtuara nga Polonia dhe Hungaria, thonë që nuk do të pranojnë kurrë kuota pranimi për emigrantët. Disa shtete të jugut, si Italia dhe Greqia, thonë se janë lënë vetëm që të përballen me gjithë valën e emigrantëve.
Kjo çështje do të trajtohet në Qershor, pasi presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, kërkoi të vendoset një marrëveshje ose të braktisen fare kuotat e pranimit me detyrim.
“Vonesat me zbatimin e zhvendosjes së emigrantëve kanë qenë politikisht shkatërruese”, thotë Gozi. “Jo sepse zhvendosja do të kishte zgjidhur krizën e emigrimit, por sepse tregoi se grupi i Vishegradit nuk pranon të paguajë ndonjë çmim.”
Bullgaria, e cila është duke menaxhuar negociatat, po përpiqet t’i shtyjë vendet drejt një kompromisi, por shtetet mesdhetare nuk janë të kënaqura për kuotat me detyrim. “Po bëjmë hapa pas për sa i përket solidaritetit dhe përgjegjshmërisë”, tha një diplomat i BE-së.
The Guardian, Stephanie Kirchgaessner nga Roma, Lorenzo Tondo nga Palermo, Jennifer Rankin nga Brukseli
Top Channel