“Pse hesht Dako për plehrat?”, këshilltarët e PD në Durrës kritika dhe për taksat

01/06/2018 14:39

Mostrajtimi i mbetjeve urbane në Durrës dhe mosveprimi i bashkisë përballë katastrofës mjedisore është ngritur si shqetësim nga Kryetari i PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferraj.

Ai reagoi ashpër ndaj heshtjes së kryebashkiakut Vangjush Dako dhe kryeministrit Rama për një çështje që ka marrë vëmendjen e të gjithë opinionit publik.

“Duken të pashqetësuar, një denigrim total, miliona euro për Velierën, një projekt që është në luftë me qytetarët. Dhe nga ana tjetër lë djegien e mbeturinave aty që do të thotë që lufton qytetarët. Bomba ekologjike është një problem shumë i madh”, tha Xhaferraj.

Në fillim të sezonit turistik, Xhaferraj theksoi dhe situatën ende kritike të furnizimit me ujë të pijshëm dhe investimin e pambyllur në rrjet të Bankës Botërore, ndërsa u ndal te qëndrimi i këshilltarëve bashkiakë të opozitës të cilët për herë të dytë rrëzuan taksën e banesës që ka shkaktuar konfuzion jo vetëm te qytetarët, po dhe brenda qeverisë.

“Këshilltarët e bashkuar të opozitës nuk lejuan kalimin e takës së banesës, një taksë që për banesat në qytet shkon me 30% dhe ato në fshat rritet me 10 herë”, tha ai.

Dhënia me qira e oborreve të shkollave u denoncua dhe konsiderua si një tjetër marrëzi e kryetarit të bashkisë së Durrësit, nga kreu i demokratëve durrsakë.

Top Channel