Lagjja e harruar në Cërrik, banorët kërkojnë rikonstruksionin e rrugës

01/06/2018 15:10

Për rikonstruksionin e rrugës hyrëse në lagjen Nr.3 në Cërrik nuk është investuar asnjëherë.

Plot me gropa e ujë, rruga është thuajse e pakalueshme ndërsa rikonstruksionin e saj e premton çdo parti para zgjedhjeve.

Banorët thonë se jetesa në këtë zonë është bërë e pamundur ndërsa nuk janë të paktë ata që kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe janë larguar nga mungesa e kushteve minimale të jetesës.

“Në fushatë na e kanë premtuar të gjithë që do ta mbyllim, por më pas nuk duken më”, thotë një qytetare.

“Kanë 27 vite që na premtojnë se rruga do të shtrohet, por nuk kanë bërë asgjë”, thotë një tjetër.

“Na kanë thënë që rruga do të shtrohet. Nuk kemi një dritë është errësirë. Ku të shkojmë”, thotë një tjetër qytetare.

Lagja Nr.3 në Cërrik ka rreth 600 banorë, por prej shumë vitesh kjo zonë është lënë në harresë, ndërsa sipas këtij komuniteti, me këtë zonë periferike, të gjitha partitë në pushtet sillen njësoj, dhe askush nuk investon.

Top Channel