Kryemadhi me laps e letër: Zgjedhjet lokale, ja si do e mundim Ramën

01/06/2018 10:54

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi jo vetëm që ka përjashtuar çdo mundësi për koalicion me Rilindjen për zgjedhjet lokale, por deklaroi se votat e LSI-së do jenë përcaktuese për ti shkaktuar humbje dërrmuese Edi Ramës në këto zgjedhje. Kryemadhi ka folur në një lidhje direkte për emisionin “Të Paekspozuarit” në Top Channel.

Duke sjellë disa shembuj konkretë nga Bashkitë në Qarkun e Fierit për zgjedhjet e 2015-ës, ajo tha se për zgjedhjet e ardhshme do të mjaftonin vetëm gjysmat e votave të LSI-së në 2015-ën, për t’i siguruar fitoren e kandidatëve të Frontit Opozitar.

Kryemadhi tha se në Bashkinë e Fierit ne zgjedhjet e fundit lokale diferenca midis kandidatit fitues të së majtës ishte vetëm 1600 vota, dhe do të mjaftonin vetëm gjysmat e votave të LSI në zgjedhjet e 2017-ës për ta përmbysur këtë rezultat. “Do t’ju jap vetëm një analizë të qarkut të Fierit, që quhet bastion i së majtës. Bashkinë e Fierit e kanë fituar me 1600 vota diferencë ndaj kandidatit Alibeaj, ku ndërkohë ishte edhe LSI. Tani nuk po them për të gjithë votat e LSI-së të 2017, por gjysmat e tyre, ra Bashkia e Fierit. Bashkinë e Patosit e kanë fituar me 300-400 vota bashkë me LSI-në. Nuk po të them lëvizi gjithë votat e LSI-së nga Patozi, por gjysmat e atyre, iku dhe Bashkia e Patozit. Roskovecin e kanë fituar me 600 vota bashkë me LSI-në, hiqi gjysmat e votave që ka fituar LSI në Roskovec në 2017-ën, ra dhe bashkia e Roskovecit. Po kështu dhe Bashkia e Lushnjes, po kështu dhe bashkia e Divjakës.

Pra konkluzioni është, LSI, Partia Demokratike dhe të gjitha partitë e tjera të Frontit Opozitar, komunistë, demokratë, ballistë, legalistë se këtu nuk është çështje ideologjie, këtu është çështje fronti kundër krimit dhe kundër drogës, kundër varfërisë së shqiptarëve, të cilët po i kthejnë shqiptarët në skllevër të krimit të organizuar, po i kthejnë shqiptarët në emigrantë në vendin e tyre. S’ka më këtu bindje politike. Këtu është një front i përbashkët kundër të keqes më të madhe, që ka një emër Edi Rama krimi i organizuar. Prandaj ky front pa dallim feje, ideje dhe krahine, ka vetëm një qëllim. Të rrëzohet Edi Rama, sepse ai nuk përfaqëson gjë tjetër, por përfaqëson atë strukturë kriminale që varfëroi Shqipërinë”, tha Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi

Top Channel