Tre institucione të fuqishme financiare, një australiane, një gjermane dhe një amerikane shumëkombëshe, do të hetohen mbi akuzat për krijimin e një “karteli kriminal”, sipas autoriteteve mbikëqyrëse të konsumit në Australi.
Bëhet fjalë për australianen “ANZ”, gjermanen “Deutsche Bank” dhe amerikanen “Citigroup”, akuzat ndaj të cilave kanë të bëjnë me shqetësimet që shkaktoi përgatitja për shitjen e aksioneve të “ANZ”-së gjatë vitit 2015, me një vlerë prej 2.5 miliardë dollarësh australianë (1.9 mld dollarë).
Të treja bankat janë zotuar ta sfidojnë ligjërisht akuzat, ndërsa australiania “ANZ” ka njoftuar se do të mbrojë edhe një punonjës të saj të akuzuar.
Sektori financiar australian u trondit nga ky skandal dhe prej atëherë është në qendër të një hetimi kombëtar për veprime të pahijshme.
Ndërkohë, disa “individë të tjerë” pritet të akuzohen nga prokurorët, sipas Komisionit australian për Konkurrencën dhe Konsumin.
“Akuzat përfshijnë edhe marrëveshja e pretenduar për krijimin e një karteli, në lidhje me tregtimin e aksioneve të ANZ-së pas hedhjes së aksioneve në bursë në gusht të vitit 2015”, tha kreu i këtij komisioni, Rod Sims. “Në aktpadi do të thuhet se, ANZ-ja dhe këta individë kanë qenë të vetëdijshëm për pjesëmarrjen në disa apo të gjithë procesin e veprimeve të pahijshme”.
Mbikëqyrësi i konsumit shprehet i rezervuar për detaje të tjera në këtë moment. ANZ-ja, dikur njëra prej bankave të ashtuquajturave “big four” të Australisë, njoftoi se akuzat kanë lidhje me hedhjen në bursë të rreth 80.8 milionë aksioneve.
Marrëveshja u nënshkrua nga gjigantët globalë si Deutsche Bank, Citigroup dhe JP Morgan, si pjesë e përpjekjeve të ANZ-së për të rritur kapitalin, në mënyrë që të përmbushte kërkesat e autoritetit rregullator.
Sipas bankës australiane, autoritetet rregullatore po hetojnë tashmë nëse ajo duhej të deklaronte apo jo se 25.5 milionë aksione të hedhura në bursë ishin blerë nga “menaxherë të përbashkët”. Kjo sasi përbënte vetëm 0.91% të të gjitha aksioneve të bankës asokohe.
Komisioni australian për Konkurrencën dhe Konsumin thotë se qasja e një “karteli kriminal” ndodh atëherë kur bizneset veprojnë së bashku për të siguruar përfitime, në vend që të konkurrojnë ndaj njëri-tjetrit.
Por, ANZ-ja njoftoi se besonte fuqishëm që banka vet dhe arkëtari i grupit të saj, Rick Moscati kanë vepruar në mënyrë të ligjshme, duke shtuar se do të jetë bashkëpunuese me autoritetet e vendit.
Edhe Citigroup dhe Deutsche Bank kanë deklaruar se do të mbrohen me vendosmëri të palëkundur kundrejt akuzave.
Top Channel