“Fëmijëria e humbur e shqiptarëve”. Raporti i “Save the Children”: Shqipëria, e fundit në rajon

01/06/2018 10:10

Shqipëria është e fundit në rajon për mbrojtjen e fëmijëve. Në ditën ndërkombëtare të të miturve, organizata “Save the Children” publikoi raportin “Shumë fëmijë të përjashtuar”, ku vendi ynë renditet i 77-i nga 175 shtete të marra në shqyrtim në të gjithë botën.

Ky pozicionim, – thotë “Zëri i Amerikës”, – tregon se në Shqipëri ka ende fëmijë që e kanë humbur fëmijërinë e tyre.

Shqipëria rezulton vendi me vdekshmërinë foshnjore më të lartë në rajon, 13.5 vdekje për 1.000 lindje, e ka njëkohësisht nivelin më të lartë në rajon për vonesën në rritjen e fëmijëve, 23.1 për qind e fëmijëve 0-5 vjeç.

Rreth 8.5% e fëmijëve shqiptarë janë jashtë sistemit arsimor të detyrueshëm e të mesëm, e gati 5.1 për qind e tyre janë përfshirë në punë të rënda.

Adoleshente të martuara, ose në bashkëjetesë janë 6.5 për qind, 21.8% e të cilave kanë lindur fëmijë.

Në bazë të këtyre treguesve, Shqipëria rezulton të ketë renditjen më të ulët krahasuar me vendet e rajonit. Bosnje-Hercegovina pozicionohet në vendin e 39; Serbia në vendin e 46; Mali i Zi në vendin e 53-të dhe Maqedonia në vendin e 66.

“Save the Children” i bën thirrje qeverisë të garantoje që asnjë i mitur të mos vdesë nga shkaqe të parandalueshme, ose të trajtueshme, apo t’i nënshtrohet dhunës.

“Asnjë fëmije të mos i grabitet e ardhmja për shkak të kequshqyerjes, martesës së hershme të detyruar, shtatzënisë së hershme, apo punës së detyruar, por fëmijëve t’iu mundësohet qasja në një arsim cilësor dhe t’iu ofrohen mundësi për të zhvilluar potencialet e tyre”, thuhet në deklaratën e “Save the Children”.

Top Channel