Basha ndjehet i survejuar, policia përgënjeshtron: Askush nuk po vëzhgohet

01/06/2018 15:35

Partia Demokratike e beson si të vërtetë lajmin se kryetari Lulzim Basha dhe familjarët e tij survejohen nga policia.

Rreth orës 11.00 të premten kreu demokrat thirri në zyrë drejtues të partisë dhe të grupit parlamentar. Në mesditë Edi Paloka, Flamur Noka dhe Enkeljed Alibeaj mbërritën në drejtorinë e përgjithshme të polisisë së shtetit për të takuar drejtorin Ardi Veliu mbi çështjen.

Pak minuta pas rikthimit të deputetëve tek Lulzim Basha, policia e Shtetit përgënjeshtroi si spekulim mediatik lajmin për survejimin e kreut të opozitës.

“Nuk është aspak e vërtetë që familja e z.Lulzim Basha, kryetar i PD-së, apo familjarë të tij, të mbahen nën vëzhgim nga forca policore. Me keqardhje konstatojmë se lajmi në fjalë duket i fabrikuar nga zyrat e një partie politike dhe jo nga redaksi serioze. Me këtë rast theksojmë se z.Basha përfiton nga statusi si kryetar i opozitës, masa shtesë dhe shoqërohet nga forca të Gardës së Republikës. Por nuk ka në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, monitorim survejues të tij nga strukturat e Policisë së Shtetit”.

Por edhe pas kësja deklarate Partia Demokratike deklaroi se kreu i opozitës dhe familja e tij ndiqet dhe përgjohet 24 orë në kundërshtim me ligjin e Kushtetutën.
“Operacioni klandestin është konceptuar dhe zbatuar nga Fatmir Xhafaj, ish-hetuesi i dhunshëm i komunizmit, me urdhër të Edi Ramës. Ndjekja dhe përgjimi i kryetarit të opozitës bëhet për interesa kriminale. Në këtë operacion Rama dhe Xhafaj po përdorin strukturat e policisë që janë krijuar dhe kanë për qëllim të gjurmojnë dhe luftojnë krimin dhe drogën për të gjurmuar dhe luftuar ata që që denoncojnë krimin dhe drogën”, tha Edmond Spaho, PD.

Sipas forcës kryesore në opozitë kjo veprimtari ka garancinë e mbrojtjes nga prokurorja Arta Marku, ndërkohë Gjykatat Kushtetuese dhe e Lartë nuk funksionojnë. PD kërkoi largimin e Xhafës për t’i hapur rrrugë dekriminalizimit të policisë dhe theksoi se është e domosdoshme që Reforma në Drejtësi të kthehet në binarët kushtetues.

Kryeministri Rama reagoi me ironi në Facebook: “Babalepartitë e babaleopozitës kanë shpikur sot një përgjim të Policisë së Shtetit për babalekryetarin e Partisë Babalokratike. Shpejt do të dalë e vërteta e babalepërgjimit të shpikur dje për ministrin e ndërkohë le të qeshim me babalepërgjimin e shpikur sot për Lulëzimin”

Top Channel