Nga foltorja e bllokuar e Kuvendit, Edmond Spaho teksa ishte “live” në “Facebook”-un e Partisë Demokratike, iu drejtua mazhorancës duke thënë se po e çon vendin në një konflikt social.

“Kur shtypet liria e fjalës de pengohen protestat demokratike, vendi shkon drejt konfliktit. Ju po e çoni Shqipërinë drejt konflikt social sepse po prishi të ardhshmen e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Spaho.

Më tej, ai tha se nuk është opozita që po e bllokon integrimin e vendit, por sipas tij, mazhoranca e cila nuk po lufton krimin.

“Vendi është në një situatë shumë shqetësuese dhe mos u sillni sikur nuk kuptoni. Vendi ka rënë në duart e mafies, e cila është e lidhur me segmente në qeveri, duke filluar nga Kryeministri. Kjo simbiozë e mafies po pengon integrimin evropian.

Na ndajnë vetëm 30 ditë nga marrja e një vendimi historik për Shqipërinë dhe sjellja e mazhorancës është e papërgjegjshme. Ju duhet të dëgjoni zërin e ndërkombëtarëve, të cilat janë të gatshme t’i japin një mundësi popullit shqiptar, por duan të shohin shenja të dukshme të luftës ndaj krimit të organizuar dhe lidhje me qeverinë, por pikërisht këtë nuk po bëni ju. Ju po justifikoheni se është opozita që po pengon integrimin. Opozita po përpiqet që të ushtrojë presion pozitiv që ju të jepni në luftën ndaj krimit të organizuar dhe ajo që duhet të bëni është së pari të shkarkoni ministrin e Brendshëm. Nuk mundet Shqipëria të kërkojë hapjen e negociatave, sa kohë vëllai i ministrit është i dënuar për krijim organizatash mafioze. Nuk mundet Shqipëria të kërkojë hapjen e negociatave kur ministri i Brendshëm paraardhës është i arrestuar për lidhjen me krimin e organizuar”, tha Spaho.

Top Channel