Rrugës i mbiu bari. “Bypass”-i i Fierit po shkatërrohet pa u ndërtuar

31/05/2018 19:52

“Bypass”-i i Fierit duhet të kishte përfunduar ndërtimin vite më parë. Kjo pjesë rruge do të shkurtonte kohën e udhëtimit nga Tirana në Vlorë, në 1 orë e 30 minuta. Por, çdo gjë ka mbetur në mes. Punës së kryer deri tani i ka mbirë bari, ndërkohë që të gjitha afatet kanë skaduar. Se kur do të përfundojë kjo rrugë nuk dihet, ndërsa shkojnë dëm dhjetra milionë euro.

Ndërprerja e punimeve ka sjellë edhe shkatërrimin e “bypass”-it në disa pjesë të tij nga persona të papërgjegjshëm, të cilët kanë prerë dhe vjedhur hekurin e betonit në veprat e artit.

Vetëm 55% e punimeve për “bypass”-in e Fierit janë kryer dhe punimet u ndërprenë që kur u prish kontrata me kompaninë italiane “Serenisima”, për mospërmbushje të detyrimeve. Procedurat e tenderimit kanë rinisur, por ende nuk është përzgjedhur firma që do të vazhdojë punimet në projektin ku financuesi kryesor është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Pasojat i ndjejnë edhe banorët që kanë tokat bujqësore përgjatë “bypass”-it, të cilët hasin vështirësi në transportimin e prodhimeve bujqësore.

Përveç dëmeve që po pëson pjesa e përfunduar, ndërprerja e punimeve u pasua edhe nga protestat e punëtorëve për pagat që ende nuk i kanë marrë. Ashtu siç kanë protestuar për shpronësime me standard të dyfishtë edhe pronarët e tokave ku kalon “bypass”-i.

Top Channel