Referendumi, sipas Zoran Zaevit, do të jetë fjala e fundit për çështjen e emrit të Maqedonisë.

“Vota popullore do të jetë ajo që do të orientojë qeverinë, se në cilin drejtim duhet të ecë”, u shpreh Zaev në njëvjetorin e formimit të ezekutivit reformator.

Ka sidoqoftë edhe një por…

Përpara se kjo të realizohet, – thekson kryeministri maqedonas, – qytetarët duhet të dinë cili është saktësisht qëndrimi i qeverisë.

Ai preferoi të mos i komentonte parashtesat apo prapashtesat që përmban propozimi i ri për emrin, duke nënvizur se tashmë Maqedonia është në prag të zgjidhjes së çështjes mbi 26-vjeçare.

“Republika e Maqedonisë Veriore”, “Republika e Maqedonisë së re” dhe “Republika e Maqedonisë së Epërme” janë jozyrtarisht propozimet e fundit për emrin, në kuadër të marrëveshjes së arritur nga takimi i fundit në Bruksel, midis ministrave të Jashtëm Nikola Dimitrov dhe Nikos Kotzias.

Korniza e marrëveshjes është rakorduar mes dy kryediplomatëve dhe parashikohet një plan prej 11 pikash, i cili shpresohet t’i vërë kapak grindjes shumëvjeçare mes Athinës dhe Shkupit.

Nisma duhet të marrë më pas “dritën jeshile” të Zaevit dhe homologut të tij grek, Alexis Tsipras.

Ndërkohë, presidenti maqedonas Gjorge Ivanov e ka kritikuar qeverinë për mungesë transparence në rrjedhën e deritanishme të bisedimeve, në veçanti pas njoftimeve mbi arritjen e kornizës për marrëveshje të mundshme.

Top Channel