Kuvendi, votim mes protestës. Ruçi ndërpret seancën, opozita në Facebook

31/05/2018 15:16

Opozita nuk lejoi as këtë të enjte zhvillimin normal të seancës plenare të Parlamentit, ku ishin thirrur për raportimin vjetor 3 institucione. Sapo Gramoz Ruci tentonte të vijonte me rendin e ditës, demokratët bllokonin foltoren.

“Ndërpritet seanca, media të dalë jashtë”, tha Ruçi.

I njëjti skenar u përsërit disa herë, edhe kur foltoren e bllokoi n/kryetari demokrat i Parlamentit, Edi Paloka.

“Zoti Paloka të ka mbaruar koha, ju lutem uluni. Mesa duket ju vajti ora e Facebook, atëherë ndërpritet seanca gjysmë ore”, tha Ruçi.

Gjatë ndërprerjeve, fjalimet e deputetëve opozitarë vijonin në mediat sociale. Me rifillimin e punimeve asgjë nuk ndryshoi.
“Kjo sallë nuk është as konçesioni as PPP e qeverisë”, tha Petrit Vasili, LSI.

“Mos u bë pjesë e ti e skenarit të grupit tjetër të opozitës. Asnjë skenar i shëmtuar që ndërsa predikohet kontributi juaj për hapjen e negociatave, gjithë veprimtaria dhe skenari juaj ësht ëpër të dëmtuar hapjen e negociatave”, tha Gramoz Ruçi.

Kur u bë e qartë se ishte e pamundur me vijimin e raportimeve, Ruci kaloi në votim të pikave të tjera të rendit të ditës, që për mazhorancën janë tregues se opozita nuk arriti të bllokojë Parlamentin.

“Është e turpshme të bllokosh seancën e Kuvendit kur sot miratohet marrëveshja e radhës me KfW, për investimin e rrjetit të transmetimit të energjisë Shqipëri-Kosovë. E keni bërë këtë kur ishe në qeveri Sali, e bllokove sa munde pavarësinë energjitike të Kosovës, nuk mund ta bllokosh sot. Sot ne do të miratojmë marrëveshjen me KfW”, tha Taulant Balla.

Pas votimit, kryeparlamentari mbylli seancën dhe mazhoranca u largua nga salla. Ndërsa opozita vazhdoi të qëndrojë, duke vijuar me fjalimet e përgatitura të cilat i transmetoi nga Facebooku i Lulzim Bashës.

“Të gjithë përfaqësuesit dhe ambasadorët e krimit të organizuar në këtë sallë kanë dalë jashtë, ashtu siç kërcënon Edi Rama çdo ditë qytetarët, ashtu të çohen dhe qytetarët dhe bashkë me ne, jo të kërcënojmë Edi Ramën, por ta largojmë atë”, tha Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI.

“Jo 2018, as 19-ta, as 20-ta nuk hapen negociatat. Nuk të hap njeri negociata kur ke kryer grusht makabër shteti, ke marrë pushtetin e Gjykatës Kushtetuese ke shndërruar drejtësinë në një degë ekzekutivi”, tha Sali Berisha.

Top Channel