Përmes avokatit të tij, Adriatik Llalla, ish-Prokuror i Përgjithshëm këmbënguli nga Turqia se ndërprerja e vettingut ndaj tij është vendimi i duhur përderisa ai u dorëhoq nga e drejta për të vijuar më tej si pjesë e drejtësisë.

Por, Komisioneri Publik, që ka kundërshtuar në Apelin e vettingut verdiktin e shkallës së parë këmbëngul në qëndrimin se Adriatik Llalla vazhdon të ketë statusin e magjistratit e për rrjedhojë vettingu duhet të vazhdojë kontrollin e 3-fishtë ndaj tij.

Si argument, Komisioneri Publik solli dorëheqjen e Llallës të dorëzuar përmes postës pranë Presidentit të Republikës dhe Komisionit të Vettingut. Por, në lexim të ligjit, Komisioneri Publik e konsideron këtë akt si nul, pasi kjo dorëheqje duhej dorëzuar pranë Këshillit të Lartë të drejtësisë, si organi që do ta vlerësonte në mungesë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Por, avokati i zgjedhur me prokurë nga Turqia prej ish-Prokurorit të Përgjithshëm e kundërshtoi komisonerin. Sokol Hazizaj tha se dorëheqja është një e drejtë kushtetuese . “Edhe këtë të drejte do na e hiqni?”, ishte pyetja retorike e avokatit të ish-prokurorit Adriatik Llalla, duke nënkuptuar kësisoj se seanca për nënshtrimin ndaj vettingut të ish-kryeprokurorit është e pabazuar, përsa kohë ai doli vullnetarisht nga sistemi.

Për të forcuar këtë pozitë avokati Hazizaj solli si provë CV e Adriatik Llallës. Përmes saj avokati evidentoi se Adriatik Llalla ka dhënë dorëheqje nga statusi i prokurorit në vitin 2008, atëherë kur mori për katër vitet e mëpasshme postin e drejtuesit të Inspektoriartit të Pasurive.

Për Llallën janë hapur dy fronte të reja, përfshi edhe hetimin tek Krimet e Rënda, por ai gjendet në Turqi, nga ku ka përcjellë në dy gjuhë akt përfaqësimin e interesave të tij.

Aktualisht në shkallën e dytë pritet të shqyrtohet edhe ndërprerja e vettingun për ish-anëtaren e Gjykatës së Lartë, Mirela Fana dhe dy të tjerë që u dorëhoqën nga sistemi. Ndërkohë, që për pesë ditët e ardhshme të qershorit do të kalojnë në sitën e vettingut edhe katër të tjerë.

Top Channel