Gjiknuri: PD fushatë shpifjesh e denigrimesh për të sabotuar integrimin

31/05/2018 10:46

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri gjatë një takimi me banorët e Selenicës në Vlorë, tha se opozita po bën fushatë shpifjesh për të sabotuar integrimin.

“Duke e ditur këtë, Partia Demokratike është hedhur në një sulm frontal. Duke parë se nuk kanë asnjë shpresë për të bindur qytetarët shqiptarë në alternativën e tyre, kanë filluar një fushatë shpifjesh, sulmesh denigruese ndaj qeverisë. Shkojnë dhe ankohen tek të huajt. E filluan me ish Ministrin e Brendshëm, e vazhduan me Ministrin aktual të brendshëm, tani po dalin po më sulmojnë edhe mua. Pra, po të shikoni, ata njerëz sulmojnë të gjithë ministrat dhe deputetët kryesorë të Partisë Socialiste, të gjithë njerëzit që kanë një peshë elektorale, që kanë kontribuar për fitoren e PS-së. Qëllimi i Partisë Demokratike është nxirja, goditja me lloj-lloj shpifjesh. Kjo është thjesht për të krijuar një tymnajë, për të shpifur tek të huajt, me të vetmin qëllim që të sabotohet procesi i integrimit. Por sabotimi i këtij procesi do të thotë më pak investime për qytetarët shqiptarë. Qëllimi është të lihen në mundësi të vështira qytetarët dhe qeveria shqiptare mos ketë shumë mundësira ekonomike”, theksoi Gjiknuri.

Gjiknuri tha se vendi është në një moment shumë deçiziv dhe jemi shumë afër hapjes së negociatave me BE-në. “Ne jemi në një moment shumë deçiziv, shumë kyç. Shqipëria është shumë afër hapjes së negociatave me Bashkimin Europian. Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme. Jo vetëm Shqipëria hyn në një stabilitet politik, por e përkthyer në ato interesa që kanë vet njerëzit, do të thotë më shumë financime nga Bashkimi Evropian. Një shpresë e madhe dhe mundësi e madhe është që progresi i Shqipërisë në BE sjell më shumë mundësi për financime”, u shpreh Gjiknuri.

Top Channel