Dyqanet ushqimore në Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në një betejë të ashpër për konsumatorë, të cilët shpesh kërkojnë që ushqimet të vijnë tek ata, në vend që konsumatorët të shkojnë në dyqan.
Automatizimi po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e ekuacionit të konkurrencës. Kur gjigandi amerikan i shitjes me pakicë përmes postës, Amazon, tronditi industrinë e supermarketeve me blerjen e rrjetit të dytë më të madhe të dyqaneve ushqimore “Whole Foods”, kompania Kroger reagoi, duke u partnerizuar me një supermarket britanik në internet, që njihet për teknologjinë e avancuar në magazinat e saj.
Fillimisht ishin fabrikat e makinave që futën robotët në linjat e montimit për të shtuar rendimentin.
Dyqanet pasuan, duke automatizuar magazinat për të përshpejtuar dërgesat me porosi. Tashmë punonjësit nuk do të kryenin kilometra ecje në ditë, për të grumbulluar sendet nga raftet e magazinave dhe paketuar. Robotët i gjejnë dhe rendisin më shpejt dhe më me efikasitet sendet, duke i bërë realitet porositë dhe dërgesat brenda ditës.
Në këtë klimë konkurence, gjigandi ushqimor amerikan Kroger vendosi të partnerizohet me supermarketin britanik në internet Ocado, që zotëron një prej magazinave më të avancuara robotike në Evropë.
Analisti për investimet Gary White thotë se partneriteti mund të përmirësojë gjendjen financiare të kompanisë Ocado dhe të përshpejtojë dërgesat e kompanisë Kroger.
“Kjo mund të sjellë shumë fitime për të dyja kompanitë. Kompania Ocado rrallë ka qënë fitimprurëse që nga fillimi i saj, më shumë se një dekadë më parë. Dhjetëvjeçarin e parë nuk ka patur përfitime.”
Robotët me bateri lëvizin deri katër metra për sekondë dhe komunikojnë përmes rrjetit të avancuar celular 4G, që ngjason me rrjetin e telefonave.
Robotët mund të mbajnë katër kilogramë dhe paketojnë një porosi prej 50 sendesh, vetëm në pak minuta.
Robotët kontrollohen nga një sistem i ngjashëm, që përdoret nga kontrolluesit e trafikut ajror dhe përmbushin deri në 65 mijë porosi në javë.
Kompania Kroger, që operon 2800 supermarkete në Shtetet e Bashkuara të markave të ndryshme, thotë se ka në plan të ndërtojë tre magazina të automatizuara këtë vit dhe deri 20 të tjera në të ardhmen.
Ndërsa vazhdon testimi i dërgesave robotike, ekspertë të industrisë thonë se dërgesat ushqimore mund të bëhen segmenti i parë tërësisht i automatizuar i industrisë së shitjeve me pakicë./VOA
Top Channel