Provimet e maturës në korridore, Nikolla: Nuk është diskriminim

30/05/2018 15:37

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla tha se testimi në ambiente të mëdha nuk është diskriminim, por siguri më shumë. Duke folur nga Fieri në Turin e Llogaridhënies, Nikolla tha se nuk është asnjë shqetësim për maturantët.

“Është një vendim që është për të gjithë maturantët e Shqipërisë, sepse duam që të mos diskriminohesh ti nga disa të tjerë që dinë ta vërtisin kopjen përfshi brenda këtu edhe administratorë të papërgjegjshëm. Është shumë e rëndësishme kjo gjë. Ti dhe gjithë shokët e tu, do të keni maksimalisht kushtet që të bëni provimin në kushte normale dhe maksimalisht ti dhe gjithë shoqëria shqiptare sigurinë që në provimet e shtetit nuk kopjohet. Fakti që ne kemi zgjedhur sallat e mëdha, nuk ka të bëjë me diskriminimin tuaj por për të shkuar haka tek i zoti”, tha Nikolla.

Më katër qershor nisin provimet e maturës për 40 mijë maturantë në gjithë vendin. Këtë vit, provimet nuk do bëhen nëpër klasa. Ministria e Arsimit ka vendosur që provimet të bëhen në korridoret e shkollave apo palestra, për arsye sigurie ose e thënë ndryshe për të penguar kopjimin.

Ministrja foli me banorët edhe për cilësinë e mësuesve në sistem, duke u ndalur në dy momente, tek “Portali Mësues për Shqipërinë dhe reforma në fakultetet e edukimit.

“Kemi bërë hapin e parë, diga e portalit “Mësues për Shqipërinë”. Portali nuk ishte vetëm për mos t’i dhënë mundësi deputetit dhe ministrave për të vendosur mësuesit në shkollë por ishte edhe një arsye më e fortë, pasi në malin e diplomave të prodhuara, ne të zgjidhnim më të mirët dhe ata t’i çonim nëpër shkolla, kjo është diga e parë, tjetra që po punojmë është me fakultetet e edukimit.”

Top Channel