Plazhet më të pastra e më të ndotura në Shqipëri – FOTO

30/05/2018 12:12

Studimi i fundit i Agjencisë europiane të Mjedisit i rendit plazhet shqiptare ndër të fundit në Europë për nga cilësia e ujit.

Për vitin 2017, vlerësimi “shkëlqyeshëm” u jepet 54.9% të plazheve tona, me ujë të një cilësie të padiskutueshme, gjë që bën që në renditjen e kësaj agjencie, vendi ynë arrin të lërë pas vetëm Rumaninë dhe Bullgarinë.

Ndër më të mirët janë Malta, Qiproja e Greqia. 84% është niveli i zonave me ujë të një cilësie që mund të konsiderohet e mjaftueshme, ndërsa 11.8% ato me ujë jo të pastër.

Përfundimet e studimit shoqërohen edhe me grafikë sqarues dhe një hartë, ku me ngjyrë të kuqe janë shënuar plazhet më të ndotura që marrin notën “dobët”; me blu plazhet që marrin vlerësimin “shkëlqyeshëm”; me të gjelbër ato që mbërrijnë te “mjaftueshëm”.

Plazhet problematike, me të kuqe në hartë, i korrespondojnë disa zonave në Durrës, Vlorë e Sarandë. 12 plazhet e renditura në raport, si me cilësi jo të kënaqshme uji, janë sidoqoftë një më pak sesa në vitin 2016, e vihen re përmirësime të dukshme krahasuar me vitin 2015.

Monitorimi i ujit realizohet duke marrë një kampion përpara nisjes së sezonit veror, e pas kësaj të paktën 4 kampionë gjatë periudhës kur plazhet mbushen me pushues.

Analizat bëhen mbi bazën e dy parametrave mikrobiologjike: bakteret “Escherichia Coli” dhe “Enterecoccus Faecalis”, që janë tregues i derdhjes së fekaleve në det.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel