1200 pallate të braktisura, Lame: Penalizim. Zvarrisin banorët për legalizimet

30/05/2018 11:17

ALUIZNI do t’i kërkojë bashkive dhe qeverisë që firmat që nuk kanë përmbushur detyrimet për legalizmin e pallateve pa leje të mos pajisen në leje të reja ndërtimi.

“Ne do fillojmë t’i çojmë listë bashkive që këto subjekte të mos marrin më leje të reja ndërtimi pa përmbushur detyrimet dhe pa mbyllur procesin e legalizimit”, tha Lame.

Problemi i pallateve të palegalizuara është kryesori tek ALUIZNI. Janë 1200 objekte, ndërtuesit e të cilëve kanë barktisur procedurat e legalizmit, ose i mbajnë peng banorët duke mos bashkëpunuar. Në këtë bllok pallatesh në zonë e “21 dhjetorit”, firma Gora e zotëruar nga Rrapush Hoxholli ka ngritur objektin në shkelje të lejes së ndërtimit.

Shitjet janë mbyllur që në vitin 2005, por deri më sot banorët nuk kanë arritur të marrin certifikatën e legalizimit. Vetë Hoxholli është në procedim penal për mashtrim për shitjet e apartamenteve në zona të tjera. Ndërsa banoret sorollaten zyrave edhe pse janë bërë bashkë për të plotësuar dokumentat. Zoti Isa, banues në këtë bllok pallatesh ka mbledhur deklarimet e legalizimit të gjithë hyrjes së tij, por thotë se një konflikt gjyqësor mes ALUIZNI-t dhe firmes së Rrapush Hoxhollit i ka penguar ata.

“Të gjithë banorët të paktën unë flas për kullën numër dy, që janë gati 40 familje, i kanë dërguar të gjithe dokumentat, po kështu janë dhe pallatet e tjera, të gjithë banorët janë të interesuar por problemi është se ai është një konfilkt mes firmës dhe ALUIZNI-t, për ne pak rëndësi ka se kush e bën, nuk është normale se kanë kaluar 13 vjet dhe jemi pa letra”, thotë ai.

Ky është vetëm njëri nga rastet e shumta për të cilat procesi i legalizimit ka zgjatur pafundësisht, dhe drejtori i ALUIZNI-t Artan Lame thotë se nuk përjashtohen ndryshime vendimesh për t’i dhënë zgjidhje legalizimit të pallateve pa pronarë.

“Ne po vazhdojmë të evidentojmë çdo lloj procedure të mundshme, edhe të ndryshme po qe nevoja në ate vendim dhe jemi duke bërë ndryshime për të lehtësuar apo përshtatur procedura që nuk i kishim marrë paraysh”, tha Lame.

Top Channel