Rama shmang komentin mbi kryeredaktorin e RD-së, Basha: Kryeministri nxit dhunën ndaj gazetarëve

29/05/2018 19:15

Në intervistën e dhënë për France24, Kryeministri Edi Rama nuk iu përgjigj pyetjes së gazetares në lidhje me lëndimin e kryeredaktorit të RD-së dhe as komentoi protestën e opozitës.

“Mendoj që është një lajm që nuk duhet të zerë faqet e para të mediave ndërkombëtare. Opozita proteston në Shqipëri dhe ka një qeveri që është në fuqi. Unë kur flas në gjuhë të huaj nuk më pëlqen të flas për opozitën”, tha ai.

Lulzim Basha ka reaguar përmes rrjeteve sociale pas kësaj deklarate të Kryeministrit. Ai cilëson qëndrimin e Ramës të rrezikshëm.

“Qëndrimi i Edi Ramës për dhunën e policisë ndaj gazetarit Bledi Kasmi si çështje e brendshme që nuk meriton vëmendjen e medias ndërkombëtare është i dënueshëm dhe i rrezikshëm. Me këtë qëndrim, Edi Rama vetëdemaskohet si kryepushtetari që nxit dhe mbron dhunën ndaj njerëzve të medias”, deklaroi ai.

Basha nuk përmend emra, por e krahason Ramën me udhëheqës të Lindjes, që i quan “injorantë”.

“Është e papranueshme jo vetëm për gazetarët dhe median e lirë shqiptare, jo vetëm për të drejtat e njeriut në Shqipëri, por edhe për aspiratën europiane të Shqipërisë të kemi një kryeministër të tillë që nuk ka lidhje me standardet minimale perëndimore, por që ngjan si dy pika uji me autokratët injorantë dhe të dhunshëm të Lindjes. Edi Rama është sot pengesa kryesore e përparimit dhe integrimit europian të Shqipërisë”, mbyll reagimin e tij kreu i PD-së.

Top Channel