Paketa e re fiskale që qeveria ka shpërndarë për marrje mendimi tek grupet e interesit përmban katër ndryshime kryesore. Më i rëndësishmi është ai që ul me tre herë tatim fitimin për bizneset me xhiro nga 8 milionë deri në 14 milionë lekë në vit.

Aktualisht këto biznese paguajnë 15 për qind tatim fitimi. Por me ndryshimin e paraqitur nga qeveria, nga 1 janari i vitit të ardhshëm ato do të paguajnë vetëm 5 përqind.

Por si përkthehet kjo në llogaritë e biznesit. Për një ndërmarrje me xhiro 14 milionë lekë, e cila ka një normë fitimi 15 për qind, taksa ulet nga 315 mijë lekë që është sot në 105 mijë lekë.

Ky është ndryshimi më rëndësishëm i paketës, që pasohet nga tre të tjera. I pari është ulja e taksave për agroturizmin, sipas modelit të të paketës që qeveria ka miratuar për turizmin. Bizneset e agroturizmit do të përjashtohen nga tatimi mbi fitimin për dhjetë vjet. Po kështu, atyre u hiqet taksa e infrastrukturës, si dhe u ulet TVSH-ja nga 20 në 6 për qind.

Kategoria tjetër e bizneseve që përfiton ulje janë kooperativat bujqësore. Bashkimet vullnetare të fermerëve do të kenë 5 për qind tatim fitimi, pavarësisht xhiros së tyre.

Ndërsa masa e fundit është ajo e cila lehtëson kompanitë që investojnë në ndërtimin e centraleve diellore të energjisë. Sipas propozimit të qeverisë të gjitha makineritë dhe pajisjet që importohen për ndërtimin e centraleve diellore do të përjashtohen nga tatimi mbi vlerën e shtuar.

Paketa e re fiskale do të miratohet që në qershor. Por ajo pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Top Channel