Shërbimi përmbarimor në Durrës ka zbuluar në një banesë sasi të konsiderueshme armësh zjarri, që dyshohet se përdoren nga një vrasës me pagesë.
Menjëherë është vënë në dijeni Policia e Shtetit, që gjatë kontrollit në apartamentin e sekuestruar në afërsi të vendit të njohur si Shkëmbi i Kavajës ka arritur që të sekuestrojë në cilësinë e provës materiale një armë zjarri e llojit snajper, një automatik, një pistoletë, katër silenciatorë dhe krëhera fishekës të llojeve të ndryshme.
Janë gjetur gjithashtu edhe një sasi e vogël droge e llojit marijuanë, si dhe fenelina, mjete dhe veshje të policisë së shtetit, po ashtu edhe maska.
Nga mjetet e sekuestruara, dyshohet se autori ose autorët që i zotërojnë këto armë ushtrojnë aktivitetin e tyre kriminale si vrasës me pagesë, por edhe grabitës.
Policia thotë se shërbimi i Përmbarimit ka shkuar në apartamentin e mësipërm për të bërë të mundur ekzekutimin e një vendimi për dorëzimin e apartamentit bankës.
Apartamenti posedohet aktualisht nga shtetasi Xh.L., i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për ndalimin e tij, ndërkohë që mbetet për t’u zbardhur nëse në banesë jetonte një tjetër person apo poseduesi i tij.
Top Channel