Partitë e koalicionit qeveritar në Itali e kthyen nga presidenti Sergio Mattarella presionin për të miratuar me çdo kusht kandidatin euroskeptik të tyre për ministër të Ekonomisë, duke thënë të shtunën se alternativa tjetër e kësaj do të ishte vetëm mbajtja e zgjedhjeve të reja.
Mattarella ka bllokuar momentalisht formimin e qeverisë, gjë që do t’i jepte fund krizës politike mbi 80-ditore, për shkak të shqetësimeve në lidhje me vullnetin e “Lega Nord”-it të ekstremit të djathtë dhe “Lëvizjes antiestablishment të 5 yjeve” për të emëruar si ministër të Ekonomisë 81-vjeçarin Paolo Savona.
Savona ka qenë një kritik i ashpër i Euros dhe i Bashkimit Europian, por gjithsesi ka kredenciale të shquara, për shkak se dikur ka mbajtur edhe rolin si ministëri Industrisë. Formalisht, kryeministri i mandatuar Giuseppe Conte i prezanton përbërjen e kabinetit qeveritar presidentit, i cili duhet t’ia miratojë më pas.
Conte, një profesor jurisprudence shumë pak i njohur dhe pa eksperiencë politike, u takua me presidentin të premten, por pa zgjidhur ngërçin.
“Shpresoj që askush të mos ketë zgjedhur alternativën ‘Jo’”, tha kreu i “Lega Nord”-it, Matteo Salvini, përpara mbështetësve të tij në veri të Italisë. “Qeveria, ose duhet të marrë frerët dhe të nisë punët në orët në vijim, ose t’u drejtohemi edhe njëherë kutive të votimit”, tha ai.
Më pas, edhe udhëheqësi i “5 yjeve”, Luigi Di Maio tha se priste që presidenti të merrte një vendim për mbështetjen e qeverisë brenda 24 orësh. Edhe kjo lëvizje antiestablishment e mbrojti kandidaturën e Savonës.
“Është një zgjedhje politike dhe, bllokimi i një zgjedhjeje minitrore është përtej rolit të presidentit”, tha Alessandro di Battista, një prej politikanëve më të lartë të “5 yjeve”.
Mattarella nuk ka folur publikisht për Savonën, por përmes ndihmësve të tij e ka bërë të qartë se nuk dëshiron një ministër Ekonomie antieuro dhe se nuk do të mund të pranonte “diktatin” e partive të koalicionit.
Kritikat e Savonës ndaj euros dhe politikave ekonomike gjermane kanë tronditur edhe më tej tregjet, gjithsesi të shqetësuara mbi vullnetin e qeverisë së ardhshme për të vënë dorë mbi borxhin masiv të Italisë, 1.3 herë më të lartë sesa prodhimi kombëtar vjetor.
Top Channel