Numri i punonjëseve të intoksikuara gjatë punës, në një rrobaqepësi të qytetit të Durrësit, ka shkuar në 24.

Të intoksikuarat janë paraqitur me “lipotemi” dhe dobësi të theksuar në Urgjencën e Durrësit gjatë ditës së shtunë. Ato kanë qenë duke punuar në prodhimin e rrobave ushtarake pranë shoqërisë me kapital të huaj në Shkozet, kur kanë shfaqur gjendje të rënduar shëndetësore. Mes tyre, edhe një grua e re shtatzënë.

Ende nuk ka një përgjigje për 13 kampionët e gjakut që u dërguan në Tiranë për ekzaminim toksikologjik.

Ndërkohë, të intoksikuarat janë ankuar se në repartin ku punojnë mungon ajrimi. 14 nga 24 të intoksikuarat e paraqitura në urgjencë janë ende nën kujdes mjekësor.

Nga Drejtoria e Spitalit mësohet se janë shtruar 9 paciente në klinikën infektive, 3 në Shërbimin e Okulistikës, pasi ankohen për turbullim të shikimit, dhe dy paciente të tjera në Shërbimin e Kardiologjisë.

Burime nga policia e Durrësit thanë se po verifikohen edhe kushtet e punës që ofron kompania për punonjëset. Kjo kompani vepron në tregun shqiptar që nga fillimi i vitit 2016 dhe, ashtu si kompania mëmë në Itali, e themeluar në vitin 1979, e ka të përqëndruar aktivitetin e saj në prodhimin e veshjeve ushtarake dhe civile.

Top Channel