Qeveria shqiptare ka ndërmarrë projektin për rikualifikimin urban të Bashkisë së Pukës, që parashikon rikonstruksionin e fasadave të ndërtesave përgjatë rrugës nga shëshi “Tërbuni” deri shërbimit spitalor; ndërtimin e një shëtitoreje përreth liqenit; një kënd lojërash për fëmijë dhe një amfiteatër.

I pranishëm në inspektimet e punimeve për rigjenerimin e shëtitores qendrore, që parashikohet të përfundojë brenda këtij viti, ka qenë edhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, në cilësinë e drejtuesit politik të qarkut, së bashku me deputetë të zonës dhe kryebashkiakun e Pukës.

Bushati vlerësoi projektin, përfundimi i të cilit, sipas tij do të ndikojë në rigjallërimin e jetës në këtë qytet.

“Puka, çdo ditë e më shumë po ndryshon. Sistemi i rikualifikimit të banesave, pedonalja dhe projekti i liqenit do t’i japin një tjetër frymëmarrje Pukës”, theksoi ministri i Jashtëm.

Kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj, nga ana e tij e falënderoi qeverinë shqiptare për investimin, që do të sjellë edhe rritjen e turizmit në këtë zonë.

Projekti për Bashkinë e Pukës është ndarë në dy faza, e para prej të cilave ka përfunduar. Gjatë saj janë kryer ndërtimi i pedonales së qytetit, çative të ndërtesave, ndriçimi dhe rivitalizimi i hapësirave të gjelbra dhe ndërtimi i shatërvanit në sheshin e qytetit.

Pas gati 30 vitesh, në Pukë po investohet sërish për t’i dhënë një fizionomi tjetër këtij qyteti, për ta bërë më tërheqës për qytetarët dhe vizitorët, për shfrytëzimin e potencialeve të turizmit apo agroturizmit.

Top Channel