Provimet, maturantët të pakënaqur. Debate për skemën e arsimit, “provime në korridor”

26/05/2018 15:15

Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit, për testimin e maturantëve në korridoret dhe palestrat e shkollave ka shkaktuar debat mes drejtuesve të shkollave. Por, në Tiranë duket se më të shqetësuarit janë maturantët.

“Na duket shumë e padrejtë, sepse provimet do bëhen edhe në 5 klasa ku nuk ka kamera. Mua banka më bie afër tualetit, që mbajnë erë, duan të shkojnë nxënësit në tualet është zhurmë. Kemi thënë shumë herë që nuk e duam këtë gjë, por nuk është në dorën tonë”, thotë një maturante te “Petro Nini Luarasi”.

Burime për Top Channel thonë se disa drejtorë shkollash e testuan këtë urdhër të ri, përmes paraprovimeve. Në shkollën “Qemal Stafa” nuk është ndjekur kjo praktikë, ndërsa nxënësit shprehen të habitur.

“Në klasa me nga 15 nxënës zhvilluan provimin. Kemi dëgjuar që provimet do bëhen në korridore, nuk e kemi infon e saktë. Nisma e re është e çuditshme”, shprehet një maturante të “Qemal Stafa”.

Jashtë kamerës, drejtoresha e shkollës “Partizani” thotë për Top Channel se provimet në këtë shkollë do të zhvillohen vetëm në klasa për shkak se s’ka kushte, por edhe sepse në palestër është shumë nxehtë .

Në shkollat që ndodhen më larg qendrës provimet do të zhvillohen më shumë në klasa. Kjo është arsyeja pse maturantët janë kundër, sepse thonë se nuk ka një standard për të gjithë dhe nuk dinë sesi do të zgjidhen ata që do të testohen në klasë dhe ata në korridore. Pyetja që ngrihet është: Përse ministria e arsimit kërkon zbatimin e një praktike kur e di që nuk mundet të zbatohet për të gjithë njësoj? A garanton ky standard i dyfishtë siguri, siç edhe pretendon ministria e Arsimit?

“Absolutisht që jo, standardet janë njësoj si për ato që e bëjnë provimin në klasë si në korridor. Duke qenë ambienti i hapur ti e kontrollon më mirë nxënësin, edhe administratorët do jenë aq sa kanë qenë dhe i bie që edhe administratorët do kontrollojnë një tjetër dhe nuk do ketë më administratorë të korruptuar”, shprehet Shqiponja Lamçe, arsimi parauniversitar.

A do të vendosen banka pranë tualeteve?

“Këto banka nuk do vendosen pranë tualeteve. Palestrat që nuk kanë arosje nuk do të përdoren për provime”.

Një nga elementet e sigurisë në procesin e maturës janë kamerat, që nuk ndodhen në të gjitha shkollat. ose në rastet kur ato janë, ndodhen vetëm në korridore, as në klasa as në palestra, pra jo të gjithë nxënësit do të monitorohen me kamera. e njëjta vlen edhe për bllokuesit e valëve të celularit.

“Detektorë për valët sigurisht që do ketë, por kamera në ato shkolla që s’kemi nuk mund t’i sigurojmë”.

Top Channel