Opozita, protestë për Xhafajn. Rrethuan Ministrinë e Brendshme. Basha largoi protestuesit

26/05/2018 19:37

Stili i orëve të para nuk ndryshoi nga protesta e katër muajve më parë, që nga mesazhet e protestës përmes targave të makinave që u nisën për në Tiranë dhe instalacioneve.

Fillimisht në sheshin “Skënderbej” me peshoren e drejtësisë.

Ministrin i Brendshëm, kundër të cilit protesta u thirr, nuk mungoi në zyrën e punës.

Këtu mbërrin dhe instalacioni i dytë me hartën e ashtuquajtur të familjeve politiko mafioze.

Një poster i tretë në mes të bulevardit.

Ndërsa tek Kryeministria inskenimi një konkursi për ministër të Brendshëm.

E konceptuar si marshim, protesta u udhëhoq nga Lulzim Basha, i cili mbajti fjalimin e vetëm në protestë, duke akuzuar qeverinë si antieruopiane.

“Sot ne dëshmojmë se nuk e pranojmë autokracinë, korrupsionin, se nuk mbyllim sytë para krimit dhe drogë, duke dëshmuar se demokracinë, përparimin dhe stabilitetin mund ta garantojë vetëm njerëzit e lirë dhe kurrë jo autokratët e korruptuar”, tha Basha.

Por Basha kishte rezervuar edhe një mesazh për qytetarët. I ftoi të besojnë në liderë normalë dhe jo tek ata që bëjnë profetin.

“Ne duhet të çlirohemi nga përpjekja për të gjetur udhëheqës të mëdhenj që premtojnë bëma të mëdha, që rrahin gjoksin si profet. Shqipëria ka nevojë për udhëheqës normal, që punojnë për njerëzit, që respektojnë njerëzit, që sillen si europianë, që janë modestë dhe të përulur si europianë dhe nëse nuk sillen si të tillë duhet t’i ndërrojmë sa më parë pa pritur që e keqja të bëhet mal.
Për këtë duhet të kemi besim tek vota. Njerëzit mendojnë se vota e tyre nuk ka vlerë. Kur njerëzit mendojnë se vota e tyre nuk mund të sjellë ndryshim atëherë vota me të vërtetë nuk ka për të patur vlerë, atëherë vota do të shitet e do të blihet, atëherë vota do të dhunohet”, u shpreh kreu demokrat.

Vezë dhe flakadanë në drejtim të kryeministrisë ku u shënuan edhe përplasjet e para.

Në gatishmëri ishin mbi 1500 efektivë përshirë edhe disa reparte të forcave speciale. Në skenë forcat e ndërhyrjes së shpejtë dolën vetëm në momentin kur protestuesit u rikthyen tek Ministria e Brendshme.

Konfrontimi fizik ndodhi në sy të disa diplomatëve të huaj, përfshirë edhe ekspertë të misioneve të huaja që asistojnë policinë e shtetit.

Pas 40 minutash Lulzim Basha mbërriti mes protestuesve për t’i tërhequr. Ata iu bashkuan rrugës për në Partinë Demokratike.

Në selinë blu kishte dhe një mesazh final.

“Për shpresën për Shqipërinë tonë, për Shqipërinë europiane, do ta vazhdojmë këtë betejë deri në fitore”, tha Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA