Një 63-vjeçar nga Korça ka humbur jetën, ndërsa familjarët kanë akuzuar mjekun për mjekim të pakujdesshëm. Sipas të dhënave Kosta Raçi 63 vjeç është gjetur i pajetë në banesë, ndërkohë që vetëm pak ditë më parë kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale në ezofag.
Policia bëri me dije se filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj mjekut 64-vjeçar, qe i jepen vetëm inicialet, i cili e ushtron detyrën e tij në qendrën spitalore universitare Nënë Tereza.
Procedimi ndaj tij filloi pasi 63-vjeçari Raçi në banesën e tij në lagjen Nr 9 në Korçë, ka ndërruar jetë, ndërsa kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale vetëm një javë më parë në Tiranë.
Ka qenë pikërisht mjeku i QSUT ai që ka kryer ndërhyrjen kirurgjikale për të cilin familjarët e të ndjerit dyshojnë se ka kryer mjekim të pakujdesshëm.
Familjarët kanë kërkuar ekspertizën mjeko ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes ndërsa sipas policisë nga këqyrja e trupit të viktimës, nuk janë konstatuar shenja dhune.
Ndërsa në Fier, Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për pezullimin nga detyra të mjekes së familjes Ina Ruzhdija, të cilën e akuzon për mjekim të pakujdesshëm.
Sipas Gjykatës së Fierit, kjo mjeke nuk ka mjekuar dhe nuk ka ndërhyrë për të shpëtuar 21-vjeçaren Xhuljeta Gjeka, e cila gjeti vdekjen, ngjarje kjo e ndodhur në 12 shkurt të këtij viti në urgjencën e spitalit rajonal të Fierit.
Top Channel