Pavllo Mihali, një ish-sportist i njohur në kryeqytet, ka nisur betejën e tij ligjore ndaj prokurorit dhe gjyqtarëve që liruan tre nga katër të dyshuarit si vrasës të të birit të tij dhjetë muaj më parë.
Ai dorëzoi një padi penale ndaj Artan Lulaj, Prokurorit të çështjes, Bedri Qori, dhe Sokol Pasho, Gjyqtarë ne Gjykatën e Tiranës dhe Kliton Zharrit, Oficer të Policisë Gjyqësore. Padia e tij është bërë në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Në padinë e tij thuhet se, Prokurori në këmbim të shumave të parave këmbeu vdekjen e djalit të tij me para duke ndryshuar akuzën nga vrasje në bashkëpunim në “Moskallëzim të krimit” dhe duke liruar tre persona. Mihali deklaron se nuk kishte asnjë nga kushtet dhe kriteret për ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale.
Pavllo Mihali thotë se vetë prokurori në takimin me familjen e 22-vjeçarit të masakruar është shprehur me arrogancë, se ka gabuar dhe se ai dhe e shoqja mund të ankoheshin ku të donin.
Por a i lejohet një prokurori si Artan Lulaj një arrogancë e tillë, ndaj dy prindërve të prekur “nga një dramë e rëndë?”, thotë babai i 22-vjeçarit.
Artan Lulo, 55-vjeçar ka të paktën 30 vjet karrierë si prokuror. Ai hyn në brezin e prokurorëve të karrierës, ndërsa ka prekur të gjitha shkallët e saj, duke qenë për disa vite në Prokurorinë e Përgjithshme, në Prokurorinë e Apelit për Krimet e Rënda. Ai ka gati tre vite në Prokurorinë e Tiranës. Dosja e fundit nën hetim për vrasje është ajo ku u ekzekutua Dejvi Kasmi. Por Pavllo Mihali ka për të vetëm një përkufizim: “Ma kanë vrarë. Më kanë therur dhe mua. Drejtësia, Artan Lulaj, demoni i demonëve, po më vret edhe shpirtin”, tha Pavllo Mihali.
Mihali i siguroi edhe vetë videon e djalit të tij. Pamjet e ngjarjes së rëndë që tronditi Tiranën në korrikun e shkuar u publikuan në emisionin “Të Paekspozuarit” në Top Channel. Krimi ka ndodhur në vetëm 50 sekonda dhe të rinjtë largohen qetësisht nga vendi i ngjarjes.
Pavllo ka akuzuar për korrupsion edhe dy gjyqtarët Bedri Qorri dhe Sokol Pasho si edhe oficerin e Policisë Gjyqësore, Kliton Zharri, ky i fundit dyshohet se ka ndërruar procesverbale për të dhënë liri të pandehurve të tjerë.
Top Channel