Koreja e Veriut është e gatshme në çdo kohë për bisedime me Amerikën, edhe pse presidenti Donald Trump e anuloi një ditë më parë takimin e shumëdiskutuar të 12 qershorit me Kim Jong-un.
Zëvendësministri i Jashtëm koreano-verior, Kim Kye-gëan tha se vendimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë ishte jashtëzakonisht për të ardhur keq, por vendi i tij po e bën edhe një përpjekje të fundit për të mos e lënë të fashitet këtë shkëndijë diplomatike.
Lëvizja e befasishme e Trumpit i gjeti të papërgatitur aleatët e tij në rajon. Ajo erdhi në vazhdën e një shkëmbimi deklaratash kërcënuese mes zyrtarëve të të dyja palëve.
Përveçse e përshkroi këtë moment si një hap prapa për vendin komunist dhe të gjithë botën, presidenti i Shteteve të Bashkuara paralajmëroi se Forcat e Armatosura amerikane janë më të përgatitura se kurrë, së bashku me ato koreano-jugore dhe japoneze, për të reaguar në rast se Veriu ndërmerr ndonjë veprim të papeshuar mirë apo të papërgjegjshëm.
Zhvillimi erdhi pak pasi Peniani u shpreh me terma fyes në adresë të zëvendëspresidentit Mike Pence, duke e cilësuar një “politikan kukull”. Në letrën e tij drejtuar udhëheqësit koreano-verior, Trump shkruan se revoltimi dhe armiqësia e hapur e shfaqur në deklaratat e fundit e bën të papërshtatshëm për momentin zhvillimin e takimit të shumëpritur.
Anulimi i samitit ka shqetësuar edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterrez, i cili iu bëri thirrje palëve të vazhdojnë dialogun për gjetjen e një rrugëzgjidhjeje.
Top Channel