Presidenti amerikan Donald Trump ka anuluar një takim të planifikuar me liderin koreano-verior Kim Jong-un.
Ai tha se kishte marrë një vendim, bazuar në zemërimin e jashtëzakonshëm dhe armiqësinë e hapur të shfaqur në një deklaratë të fundit të Koresë së Veriut. Trump tha se takimi i planifikuar të mbahet më 12 qershor në Singapor, do të ishte tani i papërshtatshëm.
Në një letër drejtuar Kim Jong-un, Trump nënvizon gjithsesi se pret që një ditë të takohet me të. “E prisja me padurim takimin me ju. Fatkeqësisht, bazuar në zemërimin e jashtëzakonshëm dhe armiqësinë e hapur të shfaqur në deklaratën tuaj më të fundit, unë mendoj se një takim tani do të ishte i papërshtatshëm”, tha Trump.
“Ju flisni për aftësitë tuaja bërthamore, por tonat janë aq të mëdha dhe aq të fuqishme sa unë i lutem Zotit të mos duhet t’i përdorim kurrë”, shtoi ai.
Trump e mbyll letrën duke thënë se Kim Jong-un mund t’i telefonojë atij, nëse ndryshon mendje. “Bota, dhe Koreja e Veriut në veçanti, ka humbur një mundësi të madhe për paqe afatgjatë, prosperitet dhe mirëqenie. Kjo mundësi e humbur është një moment me të vërtetë i trishtueshëm në histori”, shkruan ai.
Më herët, të enjten, zyrtarë koreano-veriorë kritikuan komentet e zëvendëspresidentit Mike Pence, që tha se Koreja e Veriut mund të përfundojë si Libia, duke e quajtur madje atë, budalla. Ata thanë se Koreja e Veriut nuk do të lutet kurrë për dialog dhe paralajmëruan për një konfrontim bërthamor nëse diplomacia do të dështonte.
Po ashtu, të enjten Koreja e Veriut hodhi në erë tunelet në vendin e vetëm të saj të testeve bërthamore. Gazetarët e huaj në Punggye-ri, në veri lindje të vendit, thanë se kishin qenë dëshmitarë të një shpërthimi të madh.
Peniani më pas konfirmoi se tunelet ishin shkatërruar. Sidoqoftë, shkencëtarët më herët kishin thënë se tunelet mund të ishin shembur pjesërisht gjatë testit të fundit bërthamor të Koresë së Veriut, dhe tani ishin të papërdorshëm.
Top Channel