Hijet e dyshimit mbi takimin e shumëpërfolur historik të Donald Trumpit me Kim Jong-unin shtohen edhe më shumë pas deklaratës së fundit të Penianit, që fshikullon numrin dy të administratës amerikane.
Zëvendësministrja e Jashtme e vendit komunist e akuzoi Mike Pence për “doza budallallëku” dhe paralajmëroi mbi mundësinë e një “përplasjeje bërthamore” nëse diplomacia dështon.
“Peniani nuk do t’i lutet Uashingtonit për dialog, – tha Choe Son-hui. – E as nuk do të përpiqet ta bindë palën tjetër të marrë pjesë në bisedime”.
Këto ditët e fundit, nga të dyja krahët ka pasur paralajmërime se bisedimet e 12 qershorit mund të shtyhen, apo edhe të anulohen krejtësisht.
Koreano-veriorët kanë kushtet e veta, ndërsa Trumpi nga ana tjetër këmbëngul se është Peniani, ai që duhet të plotësojë kriteret që samiti të ndodhë ashtu siç është parashikuar.
Choe Son-hui është përfshirë në një sërë përpjekjesh bashkëveprimi me Shtetet e Bashkuara gjatë dekadës së fundit, por kjo duket nuk e ka penguar të dalë tani me një qëndrim të prerë.
Në një artikull të agjencisë shtetërore të lajmeve “KCNA”, ajo citohet të thotë se Pence ka bërë në media disa komente të pahijshme, që nuk mund të anashkalohen, duke përfshirë këtu pretendimet se Koreja e Veriut mund të përfundojë si Libia.
Top Channel